
Presidenti Ilir Meta dhe ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi kanë uruar sot Forcat e Armatosura në 109- vjetorit të themelimit. Në cilësinë edhe të komandantit të FA, kreu i shtet i inkurajon për të vazhduar me përgjegjshmëri në drejtim të modernizimit, rritjes së aftësive trajnuese dhe kapaciteteve operacionale, për të qenë të gatshëm në përgjigje të misionit dhe sfidave të kohës
“Me shprehjen e respektit më të lartë, falënderimit dhe mirënjohjes së thellë, për çdo burrë dhe grua në uniformë, që në këto 109 vite ka shërbyer me devotshmëri dhe sakrificë sublime në mbrojtje të Atdheut, Pavarësisë, Sovranitetit dhe Sigurisë Kombëtare, garantimit të lirisë, paqes e stabilitetit, në rajon dhe botë, nën Flamurin Kombëtar, u përcjell Forcave tona të Armatosura urimet më të përzemërta në Ditën e Themelimit. I inkurajoj për të vazhduar me përgjegjshmëri në drejtim të modernizimit, rritjes së aftësive trajnuese dhe kapaciteteve operacionale, për të qenë gjithmonë të gatshëm në përgjigje të misionit, situatave dhe sfidave që parashtron koha, si dhe detyrave, që burojnë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe angazhimet në kuadër të NATO-s. Përshëndetje vëllazërore për familjet e ushtarakëve, burim i përhershëm frymëzimi dhe edukimi me ndjenjat më të larta patriotike! Lavdi Dëshmorëve të rënë për Atdhe dhe Flamur!”, shkruan Meta.
Ndërkohë ministri Peleshi përmes një videoje që tregon historikun e Forcave të Armatosura që nga themelimi e deri më sot, si pjesë e Aleancës së NATO-s, ministri shpreh mirënjohjen për të gjithë ushtarakët që kanë kontribuar.
“Sot, 109 vjetori i Forcave të Armatosura - mirënjohje për të gjithë ushtarakët qe e krijuan dhe i dhanë jetë një force moderne. Sot përkrah NATO-s, aleancës më të madhe politike dhe ushtarake në botë”, u shpreh Ministri i Mbrojtjes. (A2 Televizion)