
Imagjinoni dy fëmijë binjakë, dy djem që burgosen në moshën 2-vjeçare për arsye politike. Kështu nis historia e Skënder Thaçit, një njeriu të suksesshëm sot në biznes e familje, por që shumë prej shqiptarëve e njohin si humanist.
Historia e susksesshme e Thaçit vjen e shkruar në një vepër të Leonora Laçit, titulluar “Skënder Imer Thaçi, mes Shqipërisë, Kosovës e Malit të Zi”.
Shumë prej atyre që e njohin Skënder Thaçin, e dinë se kryefjala e jetës së tij është familja. Ajo është e shenjtë dhe këtë Skënder Thaçi e mësoi që fëmijë. Që kur babai patriot, por kundërshtar i regjimeve totalitare, mungoi në familje, ndërsa nëna e tij, bashkë me Skënderin dhe Nerimin, dy binjakët, atë kohë 2 vjeç, burgosen në Nikshiq të Malit të Zi.
Leonora Laçi, që tashmë e njeh Skënder Thaçin si njeriun e suksesshëm, dekoruar nga dy presidentë, një biznesmen dhe një humanist për shqiptarët kudo janë, ka mundur t'i shkëpusë Thaçit edhe ngjarje e kujtime që fshihen në anën e errët të kujtesës, çka nuk ka qenë e thjeshtë edhe për vetë heroin, që rrëfehet në këtë libër nga Leonora Laçi.
Libri “Skënder Imer Thaçi, mes Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi” na rikthen edhe kohën e luftës së Kosovës dhe përpjekjen e shqiptarëve për të ndihmuar njëri-tjetrin, edhe arratisjet nëpër kufijtë aktualë të Malit të Zi, edhe vuajtjet në burgjet politikë, edhe zhdukjen e patriotëve që ndillte sistemi komunist në ish-Jugosllavi, por më së shumti rrëfen një histori triumfi që ngrihet në këto rrethana. (A2 Televizion)