
Shënohet sot 11-vjetori i protestës së 21 janarit, ku mbetën të vrarë 4 protestues në bulevardin "Dëshmorët e Kombit". Pas më shumë se një dekade nga ngjarja, prokuroria e Tiranës rinisi në maj të 2021, hetimet për 4 viktimat Hekuran Deda, Aleks Nika, Ziver Veizi dhe Faik Myrtaj dhe plagosjen e 6 të tjerëve.
Hetimi i ri i drejtuar nga prokurorja Marjeta Zaimi, nisi bazuar në një kërkesë të bërë nga Policia e Tiranës një ditë para përvjetorit të dhjetë të ngjarjes, ku kërkohej rihetim.
Kërkesa e policisë për rinisjen e hetimeve u komentua në atë kohë edhe në studiot televizive nga juristë politikanë dhe analistë. Në A2 CNN, juristi Sokol Hazizaj e konsideroi të pakuptimtë dhe politike, kërkesën e policisë. Po kështu, edhe Jordan Daci deklaroi se për rinisjen e hetimeve duhen prova të reja ligjore.
Ndryshe u pa në kampin socialist ku Ulsi Manjaj e konsideroi një kërkesë të ligjshme përderisa nuk janë zbuluar autorët, ndërsa Ermonela Felaj deklaroi në Absolut 4 në A2 CNN, një vit më parë, se prokuroria u pengua në hetime dhe ngjarja u hetua në mënyrë të mangët.
Në përkujtimoren e 10-të të viktimave të 21 janarit 2011, kryeministri Edi Rama shpalli 4 viktimat; Hekuran Dedën, Aleks Nikën, Ziver Veizin dhe Faik Myrtajn, “Dëshmorë të Atdheut”.
Si çdo vit, edhe këtë 21 janar nuk do të mungojnë homazhet nga familjarët dhe politikanët në vendin ku u vranë protestuesit. (A2 Televizion)