
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, procedimin penal ndaj avokatit Lavdosh Shehu, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, dhe punonjësit të Ministrisë së Drejtësisë Hamza Tola, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim.
“Nga hetimet rezultoi e provuar se shtetasi Lavdosh Shehu, i ka kërkuar familjes së shtetasit F.H., një shumë prej 12 000 (dymbëdhjetë mijë) euro, duke premtuar dhe siguruar se ka aftësinë për të ushtruar ndikim në funksionarë të Ministrisë së Drejtësisë, për kryerjen e transferimit të shtetasit F.H. nga shteti Italian, për të vuajtur dënimin në Shqipëri. Këtë ndikim në funksionarët e Ministrisë së Drejtësisë, shtetasi Lavdosh Shehu, do ta realizonte në bashkëpunim me shtetasin Hamza Tola, punonjës shërbimi në këtë Ministri. Në vijim, shtetasi Lavdosh Shehu, ka arritur të marrë nga familjarët e të dënuarit F.H. vetëm një shumë prej 5 000 (pesë mijë) euro”, tha SPAK. (A2 Televizion)