
Prokuroria Speciale njoftoi se për gjyqin ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të thërrasë mbi 300 dëshmitarë. Ata do të pyeten në lidhje me krimet e pretenduara, strukturën e UÇK-së, sjelljet e të akuzuarve dhe elementët kontekstualë penalë.
Në konferencën përgatitore të Gjykatës Speciale në Hagë, prokurorët theksuan se nuk do të pakësojnë akuzat në këtë moment kohor, por shtuan se synojnë të paraqesin prova lidhur me çdo vend të pretenduar krimi. Mes provave do të përmenden 42 vendndodhje në 17 komuna të ndryshme.
Gjyqi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit do të fillojë më 1 mars. Ata akuzohen për krime lufte dhe po qëndrojnë në paraburgimin e Hagës që prej nëntorit të vitit 2020. Duke reaguar ndaj qëndrimit të prokurorisë speciale, trupi gjykues shprehu shqetësimin për kohën e gjatë të kërkuar për shqyrtimin e dëshmitarëve.
“Kemi shprehur mendimin tonë se 700 orë për pyetjet e dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorisë Speciale është pak e shumtë si kohë, paneli nënvizon rëndësinë e kufizimit të dëshmitarëve, provave të panevojshme dhe përsëritëse. Dëshmitarët konfirmues duhet të thërriten vetëm kur konfirmimi është i rëndësishëm për argumentet e Prokurorisë Speciale dhe provat shkresore duhet të lidhen drejtpërdrejt me akuzat dhe jo të paraqitën për të zgjeruar kontekstin apo për të shpjeguar rrethanat e përgjithshme. Prova të tilla duhet të anashkalohen.”
Charles L Smith, Kryetar i Turpit Gjykues në Gjykatën Speciale (A2 Televizion)