
Agjencitë e lajmeve raportojnë se të paktën 17 persona kanë humbur jetën në Kabul gjatë festimeve të talebanëve për marrjen e kontrollit të rajonit të Panjshirit, i cili konsiderohej si bastioni i fundit i rezistencës kundër grupimit islamik.
Ndonëse talebanët shpallën fitoren, nga ana e rezistencës mohohet se provinca ka rënë në duart e tyre.
Mediat afgane Shamshad News dhe Tolo News bëjnë me dije se viktimat janë shkaktuar nga të shtënat në ajër në zona të ndryshme të vendit. Të shtruar në spitale janë dhe 41 persona të tjerë.
Menjëherë pas këtyre të dhënave reagoi dhe zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid, i cili iu kërkoi luftëtarëve të ndalojnë të shtënat e panevojshme në ajër pasi mund të lëndojnë civilë të pafajshëm. (A2 Televizion)