
Pas 2 vitesh nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit kryedemokrati Lulzim Basha është rikthyer në Durrës për të vizituar një familje të prekur nga kjo fatkeqësi, ku sipas tij për gjendjen e tyre të rënduar përgjegjësinë e ka qeveria e Edi Ramës.
“Gjysma tjetër e tragjedisë e cila nuk ka zgjatur për disa minuta siç zgjati tërmeti, por ka zgjatur për 2 vite me radhë është njerëzore ose më mirë të themi është çnjerëzore dhe është harresa është braktisja.
Është shpërdorimi kriminal i pushtetit dhe i fondeve të pushtetit që të gjithë e pamë se kishte një qëllim.
Të ju mbanin të lidhur pas vetes dhe të ju përdornin si mish për top në masakrën zgjedhore të 25 Prillit”, tha Basha.
Kreu i demokratëve ju rikthye premtimeve që bënte në fushatën elektorale të 25 prillit për familjet e prekura nga tërmeti duke u zotuar se nuk heq dorë prej angazhimeve të tij.
“Unë jam sot këtu për t’u zotuar që familja jonë politike, Partia Demokratike e Shqipërisë është e vendosur ta çojë deri në fund kauzën e dëmshpërblimit të drejtë për të gjithë dëmet materiale që kanë pësuar mijëra familje nga tërmeti si dhe për të vënë para përgjegjësisë ata njerëz të cilët u rëndojnë jetët e banorëve të 2 pallateve në Thumanë. Të shohin ditën e tyre para ligjit”, shtoi kryedemokrati.
Basha theksoi se do të vijojë të qëndrojë në krah të gjitha familjeve pa asnjë kalkulim politik dhe paraelektoral. (A2 Televizion)