Rindërtimi nga tërmeti: Politika e përçarë, opozita akuza për korrupsion elektoral

Nga A2 CNN
26 Nëntor 2021, 14:01 | Politikë
Rindërtimi nga tërmeti: Politika e përçarë, opozita

Politika shqiptare nuk gjeti dakordësi as për pasojat e tërmetit të 26 nëntorit 2019. Lëkundjet sizmike dhe pasojat e saj ishin pjesë e akuzave dhe kundërakuzave gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare dhe jo vetëm.

Dy vjetori i tërmetit shkatërrimtar e gjen politikën shqiptare sërish të ndarë përsa i takon menaxhimit të pasojave.

Mazhoranca prej muajsh e pret këtë datë, duke publikuar në rrjete sociale pamje e fotografi nga kantieret e rindërtimit në formë kuicesh.

Si menaxhimi i tragjedisë, ashtu edhe procesi i Rindërtimit, vijoi të mbetej kryefjalë e deklaratave të sukseseve dhe akuzave politike, ndërsa familjet e prekura vijonin në çadra dhe banesa me qira me bonusin e qeverisë. Në muajt që i paraprinë zgjedhjeve të 25 prillit, kryeministri dhe drejtues vendorë socialistë, nisën të shkonin me çelësa në dorë drejt fatkeqve që 26 nëntori i 2019 i la pa shtëpi, duke e argumentuar me pandeminë mosmbajtjen në afat të premtimeve.

Kundërshtarët e pushtetit e quajtën propagandë. Zyrtarët e PD-së, një nga një zbritën në zonat e tyre elektorale duke takuar familje që deklaronin se nuk kishin përfituar asgjë nga programi i Rindërtimit.

Përplasja shkoi deri aty sa opozita kërkoi ta ndalonte me ligj reklamimin e Programit të Rindërtimit dhe me marrëveshjen e 5 qershorit, palët ranë dakord në Kod Zgjedhor që qeveria të mos promovonte punët e saj në fushatë. Por vetëpërmbajtja mungoi dhe demokratët e adresuan çështjen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i cili ndaloi dhënien e çelësave për shtëpitë e tërmetit para zgjedhjeve, por jo reklamimin e ndërtimeve të reja.

Fushata e zgjedhjeve parlamentare kaloi shpejt dhe debatet për rindërtimin rifilluan menjëherë, pasi u mësua rezultati. Opozita shfrytëzoi shifrat publike për të bërë pjesë të akuzave për masakër zgjedhore edhe paratë që qeveria alokoi për familjet e prekura javët e fundit të fushatës.

Akuzat nuk u panë si fakte nga Kolegji Zgjedhor, i cila rrëzoi të gjithë pretendimet se me programin e rindërtimit ishte bërë korrupsion elektoral. Certifikimi i Zgjedhjeve dhe nisja e legjislaturës së re duket se la në plan të dytë debatet mbi këtë program për të cilin qeveria dha një afat të ri.

Në kampin tjetër, qëndrojnë akuzat se në bashkitë e prekura ka pasur pabarazi në trajtimin e familjeve dhe abuzime përmes të cilave kanë përfituar dhe njerëz të paprekur nga tragjedia e dy viteve më parë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos