
Kryetarja e sapozgjedhur e Kuvendit të Shqipërisë Lindita Nikolla i është bashkuar liderëve të tjerë të politikës shqiptare për të përcjellë mesazhin përkujtimor të sulmeve të 11 shtatorit të 20 viteve më parë. Në mesazhin e kryeparlamentares theksohet se sulmet e 11 shtatorit ishin akt lufte kundër qytetërimit perëndimor, por që na bashkojnë në emër të paqes dhe lirisë.
“Si sot, 20 vjet më parë, bota mbajti frymën. 11 shtatori na bëri të gjithë të ndjehemi amerikanë. Të gjithë e mbajmë mend mirë ku ndodheshim dhe çfarë bënim në 11 shtator 2001. Ngjarje si kjo ndryshojnë historinë. Por sulmi ndaj simbolit madhështor të lirisë, qendrës së qytetërimit perëndimor, referencës më të rëndësishme të demokracisë dhe investueses më të madhe për paqen, nuk e ndryshoi dot historinë. Amerika nuk u nda, u bashkua. Bota nuk u tremb, u solidarizua. Bijtë e Amerikës dhe të kombeve paqedashës shkuan në luftë, jo për hakmarrje, por për paqe, që nënat anembanë botës të mos humbasin bijtë e tyre prej terroristëve”.
Nikolla shprehet se Shqipëria qëndron me krenari në krah të Shteteve të Bashkuara, duke u ofruar strehë e mbrojtje afganëve të kërcënuar me jetë nga regjimi taleban dhe apelon që edhe pjesa tjetër e botës të bashkohet në këtë aksion njerëzor. Gjithashtu ajo përmend edhe stërvitjen Defender 21” dhe marrëveshjen për G5.
“Shtetet e Bashkuara janë partneri ynë strategjik, aleati ynë i çmuar dhe i pazëvëndësueshëm. Stërvitja e suksesshme “Defender 21”, marrëveshja për koordinimin e teknologjisë G5, nënshkruar midis Kryeministrit Rama dhe Sekretarit të Shtetit Blinken, si dhe mbështetja për qytetarët afganë janë momente kuptimplotë të forcimit të këtij partneriteti. 11 shtatori i vitit 2001 nuk do të harrohet. Ai na bën bashkë edhe më shumë në emër të paqes dhe të lirisë”. (A2 Televizion)