Liverpool fitoi titullin e gjashtë kampion të Evropës në histori. Një triumf të cilin Jurgen Klopp e kishte parashikuar. Menjëherë pas finales së 26 majit 2018, të humbur me Realin e Madridit, në orën 6 të mëngjesit, trajneri gjerman ndaloi te disa tifozë të skuadrës dhe këndoi së bashku me ata.

Një prej episodeve që solli ndryshimin dhe konfirmoi se Liverpool nuk ishte dorëzuar pas finaleve të humbura: nga Europa League, në Champions dhe për më tepër me suksesin në Premier League që sfumoi vetëm për një pikë diferencë nga Manchester City i Guardiolës. Një mënyrë për ta mbajtur kokën lart edhe pas humbjes, duke parë me optimizëm nga e ardhmja.
Ndonjëherë vetëm kaq mjafton. Liverpool u kthye në finalen e Champions-it duke u shpallur kampion i Europës për vitin 2019 pasi mposhti Tottenham në Madrid. Derbi anglez përfundoi 2-0 për Reds, me golin e Salah me penallti dhe Origi në sekondat e fundit të lojës. Festa e skuadrës së Klopp nuk u zbeh nga fakti që finalja ishte zhgënjyese në aspektin e spektaklit, pasi u ndikua nga vapa dhe tensioni i skuadrave.

Triumfi i gjashtë në histori, bëri që vetëm Reali i Madridit me 13 kupa dhe Milani me 7 të kenë më tepër fitore se anglezët në turneun më prestigjoz për klube. Suksesi u ndërtua mbi ciklin 2-vjeçar, prej të cilit skuadra e Klopp arriti në finalen e Kievit, aty ku dëmtimi i Salah dhe gafat e ish-portierit Karius i dhuruan fitoren Realit.
Fati ndihmon më të mirët dhe ky ishte rasti i Liverpool. Skuadra u kualifikua me vështirësi në fazën e grupeve, pas Paris Saint Germain, me pritjen e Alisson në fundin e ndeshjes me Napolin. Legjendare ishte përmbysja në Anfield përballë Barcelonës. Reds u thyen 3-0 në gjysmëfinalen e parë në Camp Nou, por arritën të fitonin 4-0 ndeshjen e kthimit në shtëpi. Paraqitje e cila riktheu në memorie finalen e Stambollit, të fituar përballë Milanit në vitin 2005.

Triumfi në Champions mbylli një edicion fantastik, por që rrezikonte të hynte në histori si sezoni i zhgënjimeve të mëdha. Vetëm pak më parë, Liverpool nuk arriti të fitonte titullin kampion në Angli, edhe pse grumbulloi 97 pikë. Një mallkim që në Premier League vazhdon prej vitit 1990.
Edhe për Klopp, titulli më i rëndësishëm kontinental shërbeu për të prishur mallkimin e finaleve. Arkitekti i Liverpool kishte humbur gjashtë sfida për titullin në karrierë, nga të cilat dy në Champions, në stolin e Borussia Dortmund dhe me Liverpool. Në 2019, tekniku gjerman hyri në fushë si favorit dhe do të ishte e pabesueshme që edhe këtë herë të mos merrte medaljen e kampionit.
Viti fantastik i Reds u mbyll me suksesin në Botërorin e Klubeve. Edhe pse nuk shfaqi formën më të mirë, Liverpool triumfoi në finalen e luajtur ndaj Flamengos. Vendimtar ishte goli i Roberto Firminos në kohën shtesë, me ekipin anglez që e fitoi për herë të parë trofeun e rëndësishëm prestigjoz. Suksesi në arenën ndërkombëtare shërbeu si një çlirim për skuadrën që ka dominuar gjysmën e parë të këtij sezoni në Premier League dhe duket si kandidati kryesor për titullin.

Të gjithë në Liverpul besojnë se pas festës për Champions, rrugët e qytetit do të vishen sërish të kuqe, këtë herë për të festuar kampionatin. (A2 Televizion)