Nga LaLiga në Champions, Messi një "jashtëtokësor"

Nga A2 CNN
25 Dhjetor 2019, 13:11 | Futboll

Ekuilibri i trofeve të Topit të Artë përpara suksesit të Luka Modric në dhjetorin e vitit 2018, la një dritare mendimi se ndoshta dy yjet Leo Messi dhe Cristiano Ronaldo që kanë pushtuar skenën e futbollit në dy dekadat e fundit, do t’i jepnin fund në paqe betejës se cili prej tyre qëndron në shkallën e parë të podiumit.

Përmbysje pas përmbysjeje, një herë dominim i argjentinasit e një herë revansh i portugezit, bënë atë që për 11 vite, edhe pse mes polemikash në ndonjë vit të caktuar, e gjithë lavida e këtij çmimi t’i takojë pikërisht atyre. 

Vit pas viti, beteja njohu vetëm rritje, aq sa ishte e pamundur që në pjesën dërrmuese të sezoneve, të gjitha debatet të rrotulloheshin mes Ronaldos dhe Messit apo Messit dhe Ronaldos. Tema ka qenë jo pak frymëzim i diskutimeve mes tifozëve, kryesisht në rrjetet sociale, atje ku krahas mbështetjes për klubin e zemrës, janë krijuar edhe dy tifozeri të ndara për dy futbollistët.

Dikush e cilëson të pakrahasueshëm “Pleshtin”, për magjitë dhe impaktin sa herë shkel në fushë me Barcelonën. Një tjetër ngre në qiell kapitenin e Portugalisë, i cili ka treguar se di të fitojë me skuadra të ndryshme dhe për më tepër, të udhëheqë ekipin përfaqësues drejt trofeve madhorë.

Megjithatë, vetë legjendat e futbollit modern, në ndërgjegjen e tyre, e ndjejnë se rivaliteti i tyre kalon edhe nga Topi i Artë. Jo më kot, Ronaldo mungon prej dy vitesh në ceremoninë e ndarjes së çmimit, me nuhatjen e hershme se është dikush tjetër që e kalon vijën e finishit përpara tij.

Pas tre vitesh mungesë, por jo në hije, “Pleshti” vendosi sërish duart tek trofeu që ëndërrohet prej gjithëkujt. Në një garë të ethshme me Virgil van Dijk, që mund të ishte gjithashtu triumfues këtë vit, ishte Messi ai që rrëmbeu trofeun pa “knock out”, siç jemi mësuar ta shohim, por me një vendim të vështirë të jurisë dhe këtë e tregoi diferenca fare e ngushtë e pikëve. Argjentinasi është nga ata futbollistë që nuk le shumë vend për të diskutuar kur vjen puna tek meritokracia.

“Nxehja” për Topin e Artë nisi me FIFA The Best, çmim që zuri vend për herë të parë në palmaresin e 32-vjeçarit. Titulli në LaLiga ishte i 34 në total për sulmuesin. Messi u shpall golashënuesi më i mirë në Spanjë dhe në Europë. Me një performancë brilante, por që u ndal në metrat e fundit në Champions, Messi arriti të jetë edhe golashënuesimë i mirë, me 12 gola në 10 ndeshje. 

2 dhjetori i vitit 2019 ka nisur një etapë të re dueli mes tij dhe rivalit të përjetshëm. Me vitet që kalojnë dhe tashmë janë në disfavor të dy futbollistëve, Ronaldo ka një sfidë edhe më shumë mbi supe, të paktën për të rivendosur balancën. Nga ana tjetër, suksesi duket sikur mbërrin natyralisht tek Leo Messi, i cili tregon nga java në javë se sa larg është dita e zbehjes së shkëlqimit.

A i japin përgjigjje 6 topat e artë të yllit argjentias pyetjes se cili prej tyre është futbollisti më i mirë? Ndoshta edhe këtë herë jo, por është një tregues i qartë se si është e mundur që një rival i tij fluturon ende mbi kokat e mbrojtësve, në një kohë kur pak muaj e ndajnë nga ditëlindja e 35-të. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos