Njoftimi i Kuvendit se Lulzim Basha është edhe Kryetar i Grupit të Partisë Demokratike, ka sjellë reagime të ashpra në seancë nga vetë demokratët. Dy deputetët, Ferdinand Xhaferri dhe Edi Paloka thanë se Basha nuk është zgjedhur sipas rregullores, madje duke hedhur akuza në drejtim të tij se është i zgjedhur nga socialistët.
“A mund të na sqaroni, sepse është hera e parë që po ndodh kjo, ju na propozuat që Kuvendi do të votojë midis Çuçit dhe Bashës se kush do zgjidhet kryetar i grupit të PS-së sepse jam shumë konfuz”, tha Xhaferri.
“Dua t’ju vë para një situatë të tillë, nëse nesër unë mbledh 2000 veta në një sallë dhe e quaj atë Kuvend të PS-së, zgjidhem vetë kryetar, sekretar, nënkryetar e të tjera me ar mbrapa dhe vij në parlament dhe ju sjell një letër dhe ju them që jam kryetar i grupit të PS-së, kuptojeni kështu këtë situatë dhe mos u bëni qesharake, bashkë me ata që e kanë marrë përsipër që të bëhet qesharak”, tha Paloka.
Pas ndryshimeve në statut, Lulzim Basha i dha më shumë pushtet vetes së tij, duke përcaktuar se në rastet kur Partia Demokratike do të jetë në pozitë, atëherë Kreu i Grupit do të jetë kryetari i partisë. (A2 Televizion)