Me fokus drejtësinë dhe profesionalizmin kryeministri Edi Rama u ka adresuar disa mesazhe socialistëve në Asamble. Në fjalën e tij kreu i qeverisë e vuri theksin te ndershmëria dhe profesionalizmi.
“Bëjeni punën tuaj me ndershmëri e profesionalizëm. Mos u a bëni me hile njerëzve! Mos kini frikë nga gabimet e bëra duke punuar drejt e pastër! Mos bëni faje nga ato që merret drejtësia edhe sikur të jeni të bindur se asnjëherë nuk do të merret vesh! Mos bini në kurthin e pasurimit me djersën e të tjerëve! Është haram, nuk është kurrë hallall! Pasardhësit nuk e kanë borxh që ti shohin haramit. Mos i harroni amanetet e të parëve kujtohuni për fjalët e gjyshërve e porositë e prindërve kur i dëgjonim nga halli. Jeni në rregull me SPAK, gjykatën speciale, drejtësinë dhe të gjitha tërli vërlit me të cilat disa prej jush rokanisin kokën e të tjerëve”.
Ai u bëri apel që të angazhohen fuqishëm në udhëkryqin e Shqipërisë së 2030 për të thelluar reformat dhe për të përmirësuar qeverisjen dhe fuqizuar komunitetin politik.
“Kemi kaq shumë punë për të bërë dhe na duhet kaq shumë angazhim e fokus në udhëkryqin e Shqipërisë sonë të 2030 prandaj të përqëndrohemi në çdo nivel se kjo historia e zullumqarëve është vetëm një pjesë dhe fatmirësisht jo pjesa më e madhe e problemit, por është dhe historia e shpejtësisë, aftësisë, energjisë që duhet vënë në dispozicion për të thelluar reformat, për të përmirësuar qeverisjen qëndrore e vendore për të fuqizuar komunitetin tonë politik përtej partisë”.
Teksa i uroi shërim të shpejtë liderit historik socialist Fatos Nano, ai solli në vëmendje dhe burgosjen e tij 26 vjet më parë.
“T’i urojmë shërim kryetarit tonë Fatos Nano që të rifitojë lirinë fizike e shpirtërore dhe të dalë me shëndet edhe nga burgu i terapisë intensive siç doli 26 vjet më parë nga burgu politik, ku e futi egërsia e pandëshkuar kriminale e një prej pengmarrësve më të paskrupullt të drejtësisë në Shqipëri”. (A2 Televizion)