Në çeljen e sesionit të ri parlament, Gazment Bardhi, deputet i Partisë Demokratike, lëshoi sërish një mesazh për bashkimin e demokratëve.
Bardhi u shpreh se “Shqipëria ka nevojë për një opozitë funksionale, jo një opozitë që zihet mes vetes dhe i krijon lehtësinë e domosdoshme një qeverie të korruptuar”.
“Ky është qëllimi i takimit të nesërm. Çdo deputet që e ndjen veten opozitar është i ftuar në këtë takim. Sigurisht që edhe Basha është i ftuar të marrë pjesë në këtë takim, ku mund të shprehë edhe ambicien për t’u zgjedhur Kryetar i Grupit Parlamentar, aty ku ka mundësinë të marrë 18 vota pro dhe e 19-ta do të jetë e Gazment Bardhit.
Unë nuk e di se kush ka për qëllim ta kthejë zotin Basha në qesharak që të pohojë se shtata është më e madhe se 20-ta apo 30-ta.
Takimi i nesërm është për të unifikuar një agjendë të përbashkët parlamentare si deputetë të opozitës. Ne do të jemi të gjithë dhe unë i ftoj të gjithë për të diskutuar si ka funksionuar opozita gjatë dy viteve të fundit, për t’i dhënë fund asaj situate që na ka vënë në siklet në sallën e parlamentit”, tha Bardhi. (A2 Televizion)