
Prokuroria e Posaçme përfundon hetimin dhe çon për gjykim dosjen për ish-kryebashkiakun e Bulqizës, Lefter Alla dhe 10 personave të tjerë, ish-zyrtarë dhe biznesmenë.
Alla është marrë i pandehur për “shkelje të barazisë në tenderë” dhe “shpërdorim të detyrës”.
Sipas SPAK, Lefter Alla evidentohet se ka shkelur procedurat e prokurimit publik të 30 prillit 2021 për ndërtimin e rrjetit të furnizimit dhe të shpërndarjes së ujësjellës-kanalizimeve, në Lagjen e Vjetër të qytetit të Bulqizës.
Ish-kryebashkiaku, së bashku me zyrtarë të tjerë përgjegjës të bashkisë, kanë krijuar avantazhe gjatë procedurës së prokurimit në mënyrë që garën ta fitonte kompania që donin ata, që drejtohej nga një i afërm i Allës.
Tre vjet më parë, Alla u hetua nga SPAK për “prodhim dhe mbajtje të lëndeve narkotike”, hetim që nisi pas publikimit të një videoje, ku pretendohej se shfaqej ish-kryebashkiaku duke konsumuar kokainë.
Në kuadër të hetimit, Alla iu nënshtrua dhe testit të drogës, prej nga ku rezultoi se nuk ishte përdorues i lëndëve narkotike dhe më pas hetimi i nisur u pushua. (A2 Televizion)