Arrestohet Alban Bengasi, avokati pagoi 120 mijë euro për të vrarë bashkëshorten

Nga A2 CNN
6 Shtator 2023, 18:20 | Kronikë
Arrestohet Alban Bengasi, avokati pagoi 120 mijë euro për të

Avokati Alban Bengasi, i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë” pasi i ofroi Nuredin Dumanit dhe njerëzve të tij 120 mijë euro për të eliminuar bashkëshorten e tij, u arrestua këtë të mërkurë në aeroportin e Rinasit teksa po hynte në Shqipëri.

Bengasi po kthehej nga Dubai, kur gjatë përpunimit të dokumentacionit të pasagjerëve, shërbimet e Policisë e identifikuan dhe e ndaluan pasi rezultoi i shpallur në kërkim. Mbi dyshimet se gruaja e tij e tradhtonte me shokun e ngushtë, ai i ofroi 120 mijë euro Dumanit për ta vrarë. Ngjarja u zbardh pas dëshmisë së dhënë për SPAK nga i penduari i drejtësisë, i cili rrëfeu se fillimisht Bengasi kishte kërkuar që gruaja e tij Blerta të dhunohej, t’i shkaktoheshin dëme të shumta e më pas të vritej.

Gruaja u mbajt në vëzhgim për disa ditë në zonën e Kodrës së Diellit në Tiranë, aty ku kishte shtëpinë. Bashkëpunëtori i Dumanit, Eljo Bitri, e qëlloi disa herë me sende të forta bashkëshorten e Bengasit, ndërsa avokati shprehu pakënaqësinë që ish-bashkëshortja e tij nuk ishte dhunuar ashtu siç ai vetë kishte kërkuar.

Më tej, Bengasi i ofroi shumën 120 mijë euro Nuredin Dumanit për ta eleminuar, shumë që sipas bashkëpunëtorit të drejtësisë ishte e pamjaftueshme për vrasjen e një gruaje. Dumani, i konsideruar një nga personazhet më të kërkuar të botës së krimit, u arrestua në Fier në mars të vitit 2022, pas një tentative të dështuar për të vrarë Talo Çelën. Bashkë me të, në pranga ra dhe Henrik Hoxhaj, i cili e ndihmoi në arratinë e shkurtër.

Dëshmitë e tyre dhe provat e gjetura në telefonin e Dumanit që mbeti i plagosur në përballjen me Talo Çelën, ndihmuan SPAK në zbërthimin e grupeve kriminale dhe një sërë vrasjesh që nga viti 2011 deri në 2022. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos