Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të shmangin përshkallëzimin e situatës në veri, duke hequr dorë nga retorika nxitëse.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp, me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, Stoltenberg, i cilësoi të papranueshme sulmet kundër trupave paqeruajtëse të NATO-s, dhe theksoi se Prishtina duhet të konsultohet me KFOR për dislokim, apo çdo aktivitet të forcave speciale ne veriun e Kosovës.
“Stabiliteti i rajonit dhe siguria e trupave të KFOR varet nga të gjitha aktorët në rajon dhe angazhimet që kanë marrë përsipër. NATO konsideron që ato janë të një rëndësie të madhe dhe pret që të përmbushen plotësisht. Sipas angazhimeve të marra përsipër nga Prishtina në 2013 çdo mobilizim i Forcave Speciale të Kosovës kërkon konsultime me NATO-n, ashtu si edhe çdo veprim apo aktivitet i forcave të sigurisë së kosovës dhe policisë që mund të ndikojë tek klima e sigurisë. Mirëpres hapat e ndërmarrë së fundmi nga Prishtina, për të zbutur tensionet, përfshirë reduktimin e forcave rreth objekteve të komunave dhe hapat e bërë drejt mbajtjes se zgjedhjeve në veri. Por është thelbësore të shmanget përshkallëzimi i mëtejshëm, prandaj u bëj thirrje të gjitha palëve të heqin dorë nga retorika nxitëse.”
Presidentja Vjosa Osmani e nisi fjalën e saj duke falënderuar NATO-n për rolin në Kosovë gjatë luftës dhe tani, e duke theksuar sukseset e Kosovës janë edhe të aleancës. Por ajo nuk ia kurseu kritikat indirekte për mosveprimin sa i përket ndëshkueshmërisë së autorëve të dhunës në veri.
Duke përmendur rrezikun e ndërhyrjeve nga forca të huaja malinje për të destabilziuar Kosovën, ajo tha se nuk do të lejojnë kthimin e veriut, në fushëbetejë hegjemonike për ambiciet e autokratëve.
“Pikërisht sepse Kosova është një sukses historik i NATO-s, ka forca malinje që janë të vendosura ta sfidojnë dhe minojnë atë. Kosova po përjeton ndërhyrje të vazhdueshme prej jashtë dhe pengesë konstante të autoritetit të saj legjitim dhe sovranitetit në pjesën veriore të vendit tonë. Kjo në shumë raste ka përbërë agresion, siç përcaktohet në ligjin dhe praktikat ndërkombëtare. Më lejoni të jem e qartë: pjesa veriore ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë pjesë integrale e Republikës së Kosovës. Nëse ka pandëshkueshmëri për sulmet në veriun e Kosovës ka rrezik qe orkestruesit e tyre do ta shohin këtë si një dobësitë përbashkët duke e përsëritur dhunën.”
Osmani shfrytëzoi pyetjen që ju bë lidhur me pritshmëritë mbi raundin e ri të dialogut më 14 shtator, për t’i drejtuar një thirrje partnerëve të BE për një qasje të balancuar, ku palët trajtohen në mënyrë plotësisht të barabartë.
Kjo sipas Osmanit është thelbësore për të garantuar suksesin e procesit të dialogut. (A2 Televizion)
