12 shtatori shënoi 25 vjet nga vrasja e Azem Hajdarit. Shoqëruar nga familjarët e tij dhe deputetë demokratë, Sali Berisha zhvilloi homazhe në “Varrezat e Dëshmorëve” ku prehet trupi i tij.
Në ceremoni ishin prezentë edhe disa deputetë të grupimit tjetër si Gazment Bardhi, Dhurata Çupi e Bledjon Nallbati, teksa ra në sy mungesa e njerëzve që mbështesin Lulzim Bashën.
Më pas, homazhet u zhvendosën tek memoriali i Azem Hajdarit, ngritur pranë vendit ku plumbat i morën jetën, vetëm pak metra larg ish-selisë së Partisë Demokratike.
Në nderim të liderit të lëvizjes studentore, Azem Hajdarit, Grupimi i ‘Dhjetor ‘90’ organizoi edhe një takim solemn në selinë qendrore të PD, nga ku Berisha ftoi të gjithë shqiptarët të frymëzohen nga figura e Azemit, për të rrëzuar atë që ai e quan regjimin e Edi Ramës.
“Sot është detyrë e çdo demokrati, i frymëzuar nga vepra e Azem Hajdarit, çdo ditë të mendojmë dhe jo të vajtojmë që t’i japim duart këtij regjimi, që është absolutisht një diktaturë, siç janë diktaturat e sotme. Thirrje shqiptareve të ngrihemi së bashku dhe kjo kërkon sakrificë”.
Vajza e Azemit, ish-deputetja demokrate Rudina Hajdari, pohoi se nëse do të ndiqeshin idealet e babait të saj, PD nuk do të ishte në këtë krizë.
“Sot ndodhemi në një situatë kritike me PD, sot duhet të bëjmë çka është e mundur që ta shpëtojmë atë nga një diktaturë e re që po bën gjithçka për të shkatërruar PD-në, ta bëjmë për vendin tonë dhe Azem Hajdarin”.
Ndërkohë, kryetari i PD-së zyrtare, Lulzim Basha i cili nuk ndodhet në Tiranë e përkujtoi 25-vjetorin e vrasjes së Dëshmorit të Atdheut me një mesazh në Facebook, ku thekson se “angazhimi politik për Azem Hajdarin ishte një instrument për t’i shërbyer njerëzve dhe jo vetes. Njësoj edhe kreu i shtetit Bajram Begaj, i cili e cilëson Azem Hajdarin prijës të demokracisë. (A2 Televizion)