Presidenti Bajram Begaj ka përkujtuar sot 25-vjetorin e ndarjes nga jeta të Azem Hajdarit. Në një postim në Facebook kreu i shtetit vlerëson me nderim liderin e dhjetorit për trimërinë dhe guximin që sipas tij do të kujtohet si prijës i demokracisë.
“Nderim dhe respekt për Heroin e Demokracisë, Azem Hajdari. Lideri i Dhjetorit ‘90 me trimërinë dhe guximin e tij do të kujtohet ndër breza si prijës i demokracisë”, shkruan Begaj.
Po sot, Partia Demokratike e Shqipërisë organizoi një ceremoni në “Varrezat e Dëshmorëve,” me pjesëmarrjen e Sali Berishës dhe Grupimit “Dhjetor ‘90”. Të pranishëm ishin familjarë të Azem Hajdarit dhe deputetë të PD-së nga grupi i Rithemelimit dhe grupimit Bardhi.
Ndërsa kryetari i PD-së zyrtare, Lulzim Basha, i cili nuk ndodhet në Tiranë, e kujtoi me anë të një postimi, duke e quajtur Azem Hajdarin simbol të vullnetit të shqiptarëve në përballjen me regjimin komunist dhe ngadhënjimin e lirisë mbi diktaturën. (A2 Televizion)