Sokol Kushta vlerëson për Kombëtaren: Sylvinho erdhi si trajner i vogël edhe pse ishte lojtar i madh

Nga A2 CNN
12 Shtator 2023, 16:52 | Futboll
Sokol Kushta vlerëson për Kombëtaren: Sylvinho erdhi si trajner i

Ky është vendi në të cilin Jasir Asani realizoi supergolin përballë portierit Szczesny. Arena Kombëtare ka qenë fatsjellëse për 28-vjeçarin, që vetëm pak muaj më parë nuk shihej si alternativë për Kombëtaren.

Jo vetëm në duelin e Poloninë, ai realizoi një perlë edhe në anën tjetër të stadiumit ndaj Moldavisë, që u shpall dhe goli më i bukur i javës nga UEFA.

Një periudhë sa emocionuese aq dhe e veçantë për kombëtaren shqiptare sepse nëse deri më tani vuanim për të shënuar, në këtë edicion rezultatet janë arritur me gola të jashtëzakonshëm.

Jo vetëm Asani, por dhe Kristjan Asllani apo Nedim Bajrami, kanë lënë gjurmë në kualifikueset e Euro 2024 me golat e tyre që kanë bërë jehonë në arenën evropiane. Kjo ecuri është vlerësuar dhe nga një legjendë kuqezi si Sokol Kushta.

“Kemi kaluar në stadin e të barabartëve. Nuk jemi më të humbasim me dinjitet 2-1. Kemi kaluar në një dinjitet profesional. Të rrahësh Poloninë 2-0 është gjë e rrallë”, tha Kushta.

Sipas legjendës kuqezi, golat e jashtëzakonshëm të kuqezinjve nuk janë thjeshtë një rastësi.

“Nuk ishte rastësi as ndeshja me Moldavinë, as me Çekinë dhe as me Poloninë. Ky është produkt i një stërvitje dhe potence që ka lojtari”, shtoi Kushta.

Meritë të veçantë në këto suksese ka dhe trajneri Silvinjo që sipas Kushtës ka analizuar çdo lojtarë. 

“U shkri me lojtarët, u shkri me kampionatin shqiptar, kur trajnerët e tjerë nuk e kanë bërë. Erdhi si trajner i vogël, pavarësisht se ishte lojtar i madh, teksa Panucci erdhi si lojtar i madh dhe mundohej ta tregonte këtë gjë”, u shpreh legjenda kuqezi.

Sipas ish futbollistit, kombëtarja shqiptare ka shanse reale për një biletë në Gjermani.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos