Dhuna në Borizanë, Prokuroria kërkon riekspertim të dytë pas atij që lehtësoi pozitat e Rrajave

Nga A2 CNN
13 Shtator 2023, 13:25 | Kronikë
Dhuna në Borizanë, Prokuroria kërkon riekspertim të

Nuk do të ketë ende një vendim për masën ndaj të akuzuarve për dhunën në Borizanë, pas ekspertimit që parathoshte një lehtësim të mundshëm të akuzave ndaj pjesëtarëve të fisit Rraja.

Prokuroria ka kërkuar një riekspertim të dytë. Në çdo rast, cilido që të jetë ekspertimi mjekoligjor, ndryshimet e reja të Kodit Penal parashikojnë dhe seancën me gjyqtarin paraprak, i cili mesa duket do të jetë hallka e fundit nëse rrahja brutale e dy pjesëtarëve të familjes Maja të rikthehet për hetime të mëtejshme.

Në historikun e Prokurorisë shqiptare, përgjithësisht ekspertimet mjekoligjore kanë shërbyer si vulë e ngritjes së akuzës apo dhe pushimit të mjaft dosjeve, ndërsa në rastin konkret, mjekësia ligjore ka kategorizuar se dëmtimet dhe plagët mbi të dhunuarit nuk kanë qenë të rrezikshme për jetën.

Kompetencën për të vendosur pushimin e çështjes penale dhe kërkesën e prokurorit për dërgimin e çështjes në gjyq e ka gjyqtari i seancës paraprake, në ndryshim nga sa më parë ku kompetenca për të vendosur mosfillimin, pushimin dhe dërgimin në gjyq të një çështjeje ishte ekskluzive e prokurorit të çështjes dhe më pas gjykonte gjyqtari i themelit.

Sot, prokurori nuk e ka më këtë të drejtë, kjo kompetencë i ka kaluar gjyqtarit të seancës paraprake, i cili nëse konstaton se hetimet janë të plota dhe të gjithanshme dhe cilësimi juridik që i është bërë faktit nga prokurori nuk është i drejtë, merr vendim për hetime të mëtejshme.

Teksa pritet akti i riekspertimit, do të mësohen lëvizjet e Prokurorisë dhe nëse do të ketë akuzë të reja, do të jetë vetëm plagosja apo dhe armëmbajtja pa leje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos