“Nuk kam marrë asnjë zotim nga Kurti”. Escobar: Zbatoni ujdinë Kosovë-Serbi, në rrezik njohjet e reja

Nga A2 CNN
13 Shtator 2023, 12:52 | Kosova
“Nuk kam marrë asnjë zotim nga Kurti”. Escobar: Zbatoni

Shtetet e Bashkuara kërkojnë nga Kosova dhe Serbia, zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe zgjedhje në katër komunat veriore, përmes dorëheqjes së kryetarëve aktualë. I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për Zërin e Amerikës, foli për përfitimet që marrin palët nga implementimi i ujdisë së Ohrit, teksa përmendi se nuk ka marrë zotim nga kryeministri Albin Kurti për këtë çështje.

“Ne duam zotim konkret për fillimin e zbatimit (të marrëveshjes). Dhe sa i përket Kosovës, kjo përfshin prezantimin e draftit të asociacionit për komunat me shumicë serbe. Ai nuk u zotua për ta bërë këtë gjë. Ai, në thelb, u zotua të shkonte në Bruksel dhe të ishte i pranishëm në takime, por asgjë përtej kësaj”, tha Escobar.

Adresoi opinionet se komuniteti ndërkombëtar po tregohet shumë i butë me Serbinë, që nuk ka sanksionuar ende Rusinë, duke thënë se SHBA-ja është në dijeni të kundërshtimeve që bën Beogradi ndaj aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës dhe për liberalizimin e vizave.

“Ne vendosëm sanksione ndaj shefit të shërbimit të zbulimit të Serbisë. Prandaj, dua t’i pyes kritikët se kur kemi qenë në favor të Serbisë. Është tërësisht gabim. Është keqinformim”, tha Escobar.

Zyrtari i Departamentit Amerikan të Shtetit rreshtoi disa nga pasojat për palët nëse nuk e shfrytëzojnë këtë mundësi që u është dhënë. Escobar tha se bëhet fjalë për masa serioze, që peshojnë më shumë në kurriz të Kosovës, ku preken çështje si anëtarësimi, njohjet e reja, konferenca e donatorëve, dialogu strategjik dypalësh me SHBA-në dhe për një marrëdhënie të afërt me NATO-n. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos