Sapo u rikthye në Parlament si kryetar i zgjedhur i Partisë Demokratike, Lulzim Basha njoftoi bashkimin e votës së tij dhe të deputetëve që e mbështesin me ato të Partisë Socialiste, për të rritur pagat e gjyqtarëve të Kushtetuesës, një p/ligj që kërkon shumicë të cilësuar dhe numrat e mazhorancës në sallë nuk mjaftojnë për ta miratuar.
Ai u kujdes që të vinte herët, ende pa nisur seanca plenare, që të shpjegonte para gazetarëve përse kishte marrë këtë vendim, ndryshe nga pjesa tjetër e opozitës.
Nismën e Ministrisë së Drejtësisë, Sali Berisha e sheh si një manovër politike për përfitime nga ana e qeverisë Rama përkundrejt Gjykatës Kushtetuese.
E deleguara e kabinetit qeveritar për të replikuar me ish-Kryeministrin Berisha, Elisa Spiropali ironizoi akuzat e tij ndaj mazhorancës socialiste.
Rritja e pagave për trupën e Gjykatës Kushtetuese u kritikua pak ditë më parë edhe nga socialisti Fatmir Xhafaj, i cili gjatë diskutimit në komision të draftit, pohoi se një pjesë e këtyre gjyqtarëve nuk meritonin respekt, pasi sipas tij vuanin nga mungesa e dijes dhe dinjitetit. (A2 Televizion)
