
Në Gjykatën e Posaçme ka nisur në orën 12:00 seanca paraprake, lidhur me çështjen e shitblerjes së votave, e cila dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, çoi pas hekurave kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Himarës, Fredi Beleri.
Në ambientet e GJKKO kanë mbërritur rreth 20 minuta para nisjes së seancës përfaqësuesit ligjor të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, të shoqëruar edhe nga kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule.
Sa i përket Belerit, ndryshe nga seanca e shkuar, ai nuk është shoqëruar për në gjykatë. Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës ka paraqitur një deklaratë, ku kërkon të përfaqësohet në gjyq nga avokati i tij.
Me hetimet që janë mbyllur, trupi gjykues pritet të vlerësojë sot fatin e dosjes së Fredi Belerit, i cili ka kërkuar më parë në të gjitha nivelet e gjyqësorit zbutjen e masës së sigurisë, për t’i hapur rrugë betimit si kryebashkiak.
GJKKO do të vendosë nëse dosja ku Beleri akuzohet për krime zgjedhore do të kalojë për gjykim, do t’i kthehet SPAK apo çështja do të pushohet.
Ndërkohë, Beleri për këtë çështje i është drejtuar edhe Gjykatës së Lartë me dy rekurse. Në një prej tyre, ai kërkon vlerësimin të paligjshëm të arrestit të tij në flagrancë dhe prishjen e vendimi të Gjykatës së Vlorës për caktimin e masës së parë “arrest në burg” ndaj tij.
Në rekursin tjetër, kryebashkiaku i zgjedhur kërkon të shpallen të paligjshme përgjimet e kryera nga Prokuroria e Vlorës për lejimin e përgjimit të fshehtë fotografik audio e video të personit të infiltruar me persona të tjerë, të paraqitura si prova në dosje.
Në hetimin e nisur nga Prokuroria e Vlorës e më pas i kaluar për kompetencë në SPAK, Beleri akuzohet për “korrupsion në zgjedhje”. Ai akuzohet t’i ketë ofruar personit të infiltruar nga 50 euro për çdo person që do ta votonte në zgjedhje, si edhe një shpërblim prej 300 euro për të.
Fredi Beleri arriti të fitojë me diferencë të ngushtë votash zgjedhjet e 14 majit, ku garoi përballë kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro. Por prej më shumë se katër muajsh, ai qëndron pas hekurave dhe arrestimi i tij ka ndezur përplasjet Shqipëri-Greqi, duke rikthyer akujt në marrëdhëniet diplomatike. (A2 Televizion)