
Një megaoperacion antidrogë, i nisur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë mbrëmjen e djeshme është duke u zhvilluar në disa qarqe të vendit.
Policia ka shoqëruar mbi 150 persona, ndërsa operacioni i shtrirë në Korçë, Elbasan, Vlorë e Durrës synon goditjen e rrjeteve të shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Sipas gazetarit Julian Kasapi në operacion janë angazhuar forcat RENEA, FNSH dhe helikopterët për monitorim nga ajri.
Personat e përfshirë në këtë rrjet, shpërndanin kanabis, kokainë dhe heroinë, ndërsa hetimi për ta ka nisur muaj më parë, kur policia zbuloi lidhjet e personave të arrestuar gjatë një operacioni për shpërndarje droge, duke zbuluar edhe anëtarët e tjerë.
Mësohet se nga uniformat blu janë sekuestruar në kryeqytet rreth 3 kilogramë kokainë dhe 15 kilogramë kanabis.
Sakaq, më shumë se 18 persona janë arrestuar nga drejtoria vendore e qarkut të Korçës, ndërsa pritet që edhe 5 persona të tjerë të vihen në pranga. Në operacionin që është shtrirë në juglindjen e vendit janë përfshirë më shumë se 50 forca policie.
Ndërkohë në Elbasan janë arrestuar 9 persona dhe 5 të tjerë janë shpallur në kërkim. Një prej të arrestuarve është identifikuar si efektivi i policisë, Saimir Hysa. Policia në këtë qytet ka sekuestruar doza kanabisi me peshë 1 kilogramë, tre armë, dy thika, doreza, peshore dhe shuma parash.
Operacioni po vijon edhe në Vlorë, ku bëhet me dije se janë shoqëruar 50 persona nga policia dhe mes tyre është edhe një grua me fëmijë latant.
Edhe në qytetin e Durrësit janë shoqëruar 50 persona. Të shoqëruarit janë nga zona e Shijakut, Sukthi, Spitalla, Lagja 1 dhe 4, si dhe zona e Plazhit. Mësohet se për 20 prej tyre rëndojnë urdhër-arreste nën akuzën e trafikut të narkotikëve. (A2 Televizion)