25 vite pa Azem Hajdarin, e bija kujton momentet para vrasjes

Nga A2 CNN
15 Shtator 2023, 08:41 | Aktualitet
25 vite pa Azem Hajdarin, e bija kujton momentet para vrasjes

Në ditën e demokracisë dhe në 25-vjetorin e ndarjes nga jeta të Azem Hajdarit, e bija e tij, Rudina Hajdari, ka rrëfyer në “Dita jonë” kujtimet e atij momenti para vrasjes. Ajo thotë se lajmin e morën vesh përmes radios, ndërsa po e prisnin në shtëpi për të darkuar.

“Është një ditë e trishtë që të rikthen kujtimet e hidhura të 12 shtatorit. Por kujtoj pjesën kur ishte gjallë dhe ne patëm fatin të shpenzonim kohë me të, para se të vdiste ishim me mamin dhe babain, vëllain në një lokal para selisë së PD-së. Mamaja ishte shtatzënë. Një gjë që iu vu në dukje i kishte hipur dashuria e madhe për mamanë dhe ishte i lumtur që mitingjet e tij në Fier po shkonin shumë mirë. E shprehte dashurinë mamasë duke e puthur në publik. Ka qenë në ditët më të mira dhe të vështira. Ai pati atentatin në parlament me 4 plumba dhe po jetonte një jetë të dytë. Iu deshën 6 muaj që të rimerrte veten dhe të ecte sërish. Momentin e fundit e morëm vesh nëpërmjet radios ishim në shtëpi duke e pritur. Ishte ora 9, sapo kishim mbaruar kafen me të dhe na tha se do shikonte lajmet në zyrën e tij. Po e prisnim për darkë kam qenë 11 vjeç sapo kisha kaluar ditëlindjen në gusht. Ishim të tensionuar, por kishim edhe shpresë se nuk ishte hera e parë që e kishin qëlluar”.

Ajo thotë se babai i saj sakrifikoi jetën e tij për demokracinë dhe i la një pasuri të madhe me veprimtarinë e tij.

“Jeta më ka bërë më të fortë. Kam qenë më fat që kam pasur një baba që më la një pasuri të madhe që është ajo që bëri për këtë vend, sjelljen e demokracisë, kurajon që pati në moshë shumë të re. Sakrifikoi rininë e tij sepse u nda nga jeta 35 vjeç”.

Sipas saj, do të vinte momenti që Azem Hajdari të ishte në krye të Partisë Demokratike për shkak të vizionit të tij.

“Shumë gjëra do të ishin shumë ndryshe nëse ai do të ishte gjallë. Ai ishte kryetari i parë i PD-së, padyshim që do të vinte momenti që ai do të ishte kryetar i parë i PD-së. Nuk ishte i lidhur pas posteve sepse kishte vizion tjetër për PD-në, që ajo të funksiononte dhe dinte potencën e tij për të mbledhur sa më shumë njerëz”.

Duke e parë Partinë Demokratike në këtë situatë të përçarë, ajo thekson se kjo parti ka nevojë imediate për figura të reja dhe ndryshim të imazhit.

“Nderimi më i madh që do t’i bëhej Azemit do të ishte bashkimi. Të vjen keq kur i sheh në këtë situatë. Ne duhet të shikojmë bojkotin që qytetarët i bënë votimeve. 14 maji i dha në mesazh opozitës nëpërmjet bojkotit. PD-ja ka nevojë imediate për ndryshim të imazhit të saj, të mos ketë imazhin që ka pasur në 32 vite për figura të reja. Ka nevojë të bashkohet se vetëm kështu mund të jemi forcë e madhe në zgjedhjet e ardhshme”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos