Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK për të kaluar për gjykim dosjen ndaj Alfred Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës në procesin zgjedhor të 14 majit. Beleri do të ulet në bankën e të pandehurve, ku do të gjykohet për akuzën e “korrupsionit në zgjedhje”.
Në gjykim për të njëjtën akuzë kaloi edhe i bashkëpandehuri Pandeli Kokaveshi, ish-anëtar i Shtabit të tij elektoral, që sipas SPAK, ka paguar 40 mijë lekë një të infiltruar për 8 vota në favor të Belerit.
Gjatë seancës paraprake që zgjati më shumë se 4 orë, përmes avokatit Beleri kërkoi pushimin e akuzës. Ndonëse kishte njoftuar gjykatën për mosparaqitje, Beleri mori pjesë në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, ku edhe mohoi pretendimet e SPAK.
“Po mbahet në burg politikisht. Po mbahet pa asnjë provë, që nuk ka pasur kontakt që në datën 6 e deri në ditën që është arrestuar me të infiltruarin, nuk ka pasur asnjë bisedë”, tha avokati Edmond Demo.
Avokati tha se nuk kishte kërkuar gjykim të shkurtuar dhe paralajmëroi sjelljen e një sërë provash për të provuar pafajësinë e Belerit.
“50-60 dëshmitarët dhe prova të tjera do t’i sjellim këtu dhe të gjithë ata që gjoja janë paguar do të vijnë këtu në gjyq”, shtoi avokati.
Para nisjes së seancës, gjykata refuzoi kërkesën për pjesëmarrje të deputetit Vangjel Dule, i cili nënvizoi edhe njëherë, se Alfred Beleri po pengohet të betohet si kryebashkiak.
“Nuk ka asnjë arsye që zoti Beleri të qëndrojë qoftë edhe një sekondë i burgosur, ashtu sikurse nuk ka arsye të mbahet prej 4 muajsh në mënyrë arbitrare”, u shpreh Dule.
Afred Beleri qëndron në qeli që prej 12 majit. Ai ka kërkuar me ngulm lirinë në të tri shkallët e gjykimit, por nuk ka shpëtuar nga masa “arrest në burg”, masë në të cilët nuk mund të betohet si kryebashkiak. (A2 Televizion)
