Vetëm përgjatë mesditës, 12 orë pas rënies së zjarrit, një pjesë e banorëve u lejuan të futen në brendësi të pallatit që u dogj në rrugën Sali Butka në Tiranë.
Në prani të policisë ata morën sendet personale nga apartamentet e tyre të cilat vijojnë të jenë pjesë e vendngjarjes nga e cila pritet të dalë dhe shkaku i zjarrit.
Nga hetimet paraprake tre apartamente janë djegur plotësisht dhe 13 të tjerë pjesërisht, por mbeten të pabanueshëm. Fotot nga brenda apartamenteve të djegura, të siguruara nga A2 CNN, tregojnë atë që ka mbetur pas zjarrit i cili fatmirësisht nuk shkaktoi viktima në njerëz.
Edhe këtë mbrëmje banorët do të duhet ta kalojnë tek të afërmit e tyre pasi nuk ka një konkluzion lidhur me shkaqet e zjarrit në pallatin 10-katësh.
Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Zjarrfikës, Shkëlqim Goxhaj, tha një ditë më parë se dyshohet se zjarri ka nisur në katin e dytë, dhe më pas i ndihmuar nga fasada ka mbërritur në katin e dhjetë.
Por vetë banorët e pallatit pretendojnë se zjarri nisi në katin e 8 si pasojë e një defekti elektrik e më pas flakët u përhapën pothuajse në të gjithë sipërfaqen e tij. Fasada mbrojtëse e pallatit dyshohet të jetë bërë shkaku kryesor i përhapjes së flakëve në të gjithë godinën të cilat u vunë nën kontroll pas me shume se tre orësh nga shërbimet zjarrfikëse. (A2 Televizion)
