
Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, shqyrtoi të gjitha rastet dhe episodet e pakëndshme gjatë javës së fundit në futbollin shqiptar dhe doli me vendimet e radhës, për të mos lejuar që ngjarje të ngjashme të përsëriten në të ardhmen.
Kështu, zyrtari i Kukësit, Naim Halili u pezullua me 2 ndeshje për shkak të protestave të vazhdueshme ndaj drejtuesit të garës. Të njëjtin fat pati dhe zyrtari tjetër i këtij klubi, OItion Kërnaja.
Klubi i Tiranës dhe ai i Vllaznisë u dënuan me nga 50 mijë lekë gjobë për sjelljen e pahijshme të tifozerive respektive dhe hedhjen e sendeve në terrenin sportiv.
Dënimet më të ashpra të kësaj jave nga Komisioni i Disiplinës vijnë për dy ekipet e Kategorisë së Parë, Elbasani dhe Vora, të cilat u përballën në mesjavë me njëra-tjetrën.
Klubi i Elbasanit dënohen me 100 mijë lekë gjobë për sjelljen e gabuar të spektatorëve, teksa duhet të dëmshpërblejë dhe dëmet e shkaktuara në “Elbasan Arena”. Po ashtu dhe Vora duhet të paguajë për dëmet në këtë stadium.
Ndërkohë që lojtari i Elbasanit, Armando Rami u dënua me 4 ndeshje pezullim për sjellje josportive, teksa me 2 javë u dënua dhe zyrtari i këtij klubi, Elton Guranjaku. (A2 Televizion)