“Themelimi i Asociacionit, pa parakushte”, BE: Zbatimi i marrëveshjes të nisë pa vonesa të reja

Nga A2 CNN
19 Shtator 2023, 14:29 | Kosova
“Themelimi i Asociacionit, pa parakushte”, BE: Zbatimi i

Puna për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe duhet të nisë pas vonesa të tjera dhe parakushte. Është ky mesazhi që përcolli nga Nju-Jorku përfaqësuesi i lartë i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, pas takimit që zhvilloi me ministrat e Jashtëm të bllokut, në kuadër të asamblesë së përgjithshme të OKB-së.

Bashkimi Europian kërkoi që Kosova dhe Serbia të “angazhohen në mënyrë konstruktive dhe mirëbesim” për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit dhe të gjitha marrëveshjet e kaluara.

 “Ajo që kërkojmë, është të nisim implementimin mbi bazën e propozimit tonë pa vonesa të mëtejshme, dhe kjo përfshin detyrimin e të dyja palëve për të implementuar marrëveshjet e shkuara të dialogut. Puna për formimin e Asociacionit duhet të nisë pa asnjë vonesë të re apo parakusht.

Bashkimi europian mbetet gjithashtu i shqetësuar mbi mungesën e progresit nga të dyja palët sa i përket zbutjes së tensioneve në Veriun e Kosovës. Sipas deklaratës së publikuar nga Borrell, masat e ndërmarra deri tani mbeten të pamjaftueshme dhe situata është e tensionuar.

Në këtë kontekst, krahas kritikave për Kosovën, BE-ja fajësoi edhe Serbinë duke dënuar sulmet ndaj policëve serbë të rekrutuar së fundmi.

Sulmet e vazhdueshme nga grupet kriminale dhe intimidimi i policëve dhe popullsisë lokale në Veri, janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë. Bllokimi nga ana e Serbisë i udhërrëfyesit për Energjinë dhe përpjekje të tjera që nuk përputhen me Marrëveshjen drejt Normalizimit, janë kundër shpirtit të dialogut.

BE-ja thekson se masat e ndërmarra, përfshirë pezullimin e takimeve të nivelit të lartë me Kosovën, mbeten në fuqi. Siç thuhet, blloku është i gatshëm t’i heqë në rastin e përparimit në përmbushjen e kërkesave ekzistuese, por edhe të shtojë masa të tjera ndaj palëve, nëse do të nevojitet.

Në deklaratë përmendet nevoja për shpalljen e shpejtë të zgjedhjeve të parakohshme në veri dhe shprehet mbështetja e plotë për përfaqësuesin e lartë Borrell dhe të dërguarin e posaçëm, Lajçak. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos