Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të shprehin mbështetjen për dialogun e ndërmjetësuar nga BE dhe të dërguarin e posaçëm Miroslav Lajçak, në atë që po konsiderohet një shuplakë ndaj kryeministrit Albin Kurti. Ky i fundit, e akuzoi Lajçak se është bërë palë me Serbinë. Por gjatë një fjalimi në edicionin e dytë të Samitit të Paqes dhe Demokracisë që po mbahet në Prishtinë, ambasadori amerikan Jeffrey Hoveiner theksoi se Uashingtoni ka besim të plotë tek bë sa I përket ndërmjetësimit të dialogut.
“SHBA ka besim të plotë tek BE në ndërmjetësimin e dialogut, SHBA-ja ka besim të plotë në përfaqësuesin e lartë Borrell dhe përfaqësuesin e posaçëm Lajçak, si zbatues objektivë të kësaj politike. Deklarata e Hovenierit vjen dy ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ngriti pretendimet për një koordinim mes presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe Lajçakut, siç tha ai, për krijimin e një “skenari alternativ, ku gjysma e marrëveshjes zbatohej”.
Hoveiner kërkoi që palët të pranojnë procesin dhe propozimet në tryezë.
“Qëllimi i SHBA-së mbetet shumë, shumë i qartë. Kjo marrëveshje aktuale, kjo përpjekje për të avancuar marrëdhëniet e normalizuara është një hap i përkohshëm drejt njohjes reciproke mes këtyre dy vendeve. Kjo duhet të ndodhë. Nuk mund të keni paqe të qëndrueshme pa të. Por një dështim për të ecur përpara, një dështim për të arritur marrëdhënie të normalizuara është dhe mbetet një pengesë e madhe për avancimin e këtij rajoni në institucionet evropiane dhe euroatlantike me të gjitha pasojat shoqëruese”.
Bashkimi Evropian deklaroi se nuk i komenton deklaratat e Kurtit, që sipas bllokut përmbajnë “akuza të pabaza”. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se Lajçaku dhe Borrelli, ndërmjetësuesit evropianë të dialogut, kanë mbështeten e shteteve anëtare të BE-së. (A2 Televizion)
