Vuçiç në OKB e quan Kosovën provincë serbe, kritikon Amerikën

Nga A2 CNN
21 Shtator 2023, 21:39 | Kosova
Vuçiç në OKB e quan Kosovën provincë serbe,

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, përdori fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për të sulmuar verbalisht Kosovën, por edhe fuqitë e mëdha. Duke marrë “hua” shpeshherë fjalorin e Putinit, ai akuzoi atë që e quajti “regjim separatist të Albin Kurtit”, për dhunë të motivuar etnikisht ndaj serbëve në Kosovë. 

“Megjithëse nuk ka asnjë shqiptar të arrestuar, asnjë shqiptar të plagosur, merre me mend: fajin e kanë të dyja palët. Ndryshe nga viti 1999, kur bombarduan Beogradin dhe qytetet e tjera të vendit tim, duke lënë një gjurmë të përgjakshme te mijëra civilë dhe ushtarë të vdekur në skena shumë të ngjashme me ato që fatkeqësisht i shohim sot në vende të ndryshme të botës, sot kur terrori i zhveshur që ata vetë thonë se të kujton atë që u ndodhi shqiptarëve, po u ndodh serbëve. Nuk ka katastrofë humanitare, nuk ka thirrje për veprim, asgjë”, tha Vuçiç.

Presidenti serb, duke iu referuar gjithmonë Kosovës si një provincë e Serbisë, përdori deklaratën e qershorit të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, që kritikon Kosovën, por edhe qëndrime të Bashkimit Europian, për të mbështetur pretendimin e tij.

Gjithashtu, konfirmoi para mbarë botës se nuk do ta prishë miqësinë tradicionale me Rusinë, duke përdorur luftën në Ukrainë për interesin e tij: “Përpjekja për copëtimin e vendit tim, e nisur zyrtarisht në vitin 2008 me shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës dhe Metohisë, është ende në vazhdim. Shkelja e Kartës së OKB-së në rastin e Serbisë ishte një nga pararendësit e dukshëm të problemeve të shumta me të cilat ballafaqohemi të gjithë sot, të cilat shkojnë shumë përtej kufijve të vendit tim apo të rajonit nga unë vij”.

Vuçiç u përkujdes shumë që të theksonte disa herë zotimin e tij për të respektuar dhe ruajtur integritetin territorial të vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, duke falenderuar ata që nuk e njohin Kosovën, që, sipas tij, është gjysma e shteteve të Organizatës.

Presidenti serb akuzoi fuqitë e mëdha se përdorin standarde të dyfishta për ligjet ndërkombëtare, praktikë që, sipas tij, po e çon botën drejt Luftës së Tretë Botërore: “Kur bëhet një politikë e tillë, kur nuk ka moral në politikën botërore, atëherë është e qartë se po hyjmë në një epokë ndarjesh të mëdha dhe konfliktesh të mëdha. Dhe jo vetëm politike ekonomike, por edhe ushtarake.”

Ndër të tjera, akuzoi Kosovën për pengim të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian dhe për dështim të zbatimit të marrëveshjeve, konkretisht të ujdisë së 2013-ës për formimin e asociacionit.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos