“Kosova të ndryshojë qasje”, Escobar: Sulmet ndaj Lajçak alarmante, Prishtina t’i dënojë

Nga A2 CNN
21 Shtator 2023, 10:44 | Kosova
“Kosova të ndryshojë qasje”, Escobar: Sulmet ndaj

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i kërkon Kosovës të ndryshojë qasje në dialogun me Serbinë, në mënyrë që të ecë përpara në rrugën e integrimit. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zyrtari amerikan theksoi se qeveria në Prishtinë i di detyrimet e saj, ndërsa Serbia, sipas tij, duhet të tregohet e duruar dhe të shmangë veprimet destabilizuese.

“Ka ardhur koha për një qasje të re për disa nga personat që e kanë marrë dialogun si një opsion vetëm po apo jo. Dhe e kam fjalën konkretisht për Qeverinë e Kosovës. Ata kanë një detyrim të qartë për çfarë duhet të bëjnë. Dhe mendoj se deklarata e Borrell ishte shumë e qartë. Serbinë e inkurajojmë të vazhdojë të jetë konstruktive dhe e duruar, por gjithashtu të mos bëjë ndonjë gjë destabilizuese brenda Kosovës. Do të duhet të vazhdojmë të punojmë me dialogun. Nuk ka alternativë. Nuk ka alternativë për rajonin përveç integrimit evropian”.

Escobar rikonfirmoi pozicionin e SHBA-së në mbështetje të BE-së dhe ndërmjetësuesit Miroslav Lajçak, pas akuzave të kryeministrit Kurti se ai është kundër Kosovës. Diplomati amerikan u shpreh i alarmuar nga sulmet ndaj Lajçak dhe tha se një vend i vogël si Kosova nuk do të bindë komunitetin transatlantik të ndryshojë taktikat e tij.

“Lajçaku nuk do të largohet. Dialogu nuk do të largohet. Dhe nuk mendoj se një vend prej një milion e gjysmë do ta bindë komunitetin transatlantik prej 700 milionësh që të ndryshojë taktikat e tij. Mendoj se duhet të ketë një qasje më pragmatike nga Qeveria e Kosovës. Më duhet të them edhe diçka tjetër. Gjatë javës së fundit, jam alarmuar nga sulmet personale ndaj Lajçakut që ekzistojnë në sferën shoqërore të Kosovës. I kërkova presidentes Osmani dhe Kryeministrit Kurti që t’i dënojnë këto sulme”.

Edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, deklaroi me herët se BE-ja dhe Lajçak kanë mbështetjen e plotë të SHBA-së. Ai tha po ashtu se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të jetë ndër hapat e parë që duhet të ndërmarrë Kosova. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos