Dy zëra nga shteti shqiptar në sesionin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork. Pas kryeministrit Edi Rama një ditë më parë dhe debatit të tij me palën ruse, ishte radha e Presidentit Bajram Begaj që të mbante fjalën duke përmendur me forcë çështjen e Kosovës.
“Shqipëria mbështet dialogun e vështirë që po vijon midis Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga ndërmjetësimi i kujdesshëm i Bashkimit Evropian dhe mbështetja e fortë e Shteteve të Bashkuara. Në të njëjtën kohë, Shqipëria mbetet e ndjeshme ndaj integritetit dhe prosperitetit të Kosovës. Kosova ia ka arritur të shërojë shumë plagë të thella nga e kaluara tragjike. Të drejtat e serbëve në Kosovë pasqyrojnë normat dhe vlerat evropiane, e njëjta gjë duhet të vlejë edhe për pakicën shqiptare në Luginën e Preshevës, në jug të Serbisë. Fatkeqësisht, ne mbetemi ende të shqetësuar për bërjen jo aktive të adresave të tyre të banimit dhe mungesën e investimeve të konsiderueshme, si dhe stimujve ekonomikë në atë rajon. Kosova ka dëshmuar se dhimbja nuk ka nevojë të lindë armiqësi; ajo duhet të përkthehet në mirëkuptim dhe mbështetje. Gjithsesi, Kosova është ende në pritje të njohjes së pavarësisë së saj nga shumë vende. Shpresoj që këto vende së shpejti do ta njohin kontributin e Kosovës për një komunitet global më të drejtë, më paqësor dhe do t’i japin Kosovës njohjen që meriton. Njiheni pavarësinë e Kosovës”, tha Begaj. (A2 Televizion)