“Mesazhe shqetësuese nga Prishtina”, Escobar paralajmëron pasoja

Nga A2 CNN
22 Shtator 2023, 12:15 | Kosova
“Mesazhe shqetësuese nga Prishtina”, Escobar paralajmëron

I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, po kujdeset t’ia bëjë të qartë Kosovës se duhet t’i bindet procesit të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja. Diplomati amerikan, i cili ka qenë i zëshëm në përkrahjen ndaj ndërmjetësueseve europian në deklaratë të shumta, gjatë ditëve të fundit, theksoi sërish se mesazhet që po vijnë nga Prishtina, janë shqetësuese. Escobar iu referua kritikave ndaj emisarit për dialogun, Miroslav Lajçak, i cili sipas kryeministrit Kurti mban anën e Serbisë.

“Ne, vërtet, po i bëjmë thirrje palës së Kosovës që të jetë më konstruktive. Më duhet të them që jam pak i shqetësuar nga mesazhet që vijnë nga Prishtina. Unë kam punuar me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak dhe nuk shoh asnjë dëshmi njëanshmërie. Unë nuk shoh asnjë dëshmi për marrëveshje të fshehtë në punën për të çuar përpara interesin e Serbisë”.

Në reagimin e tij të fundit, zyrtari amerikan u tregua më i drejtpërdrejtë dhe i ashpër, duke paralajmëruar Kosovën me pasoja të rënda nga BE-ja, si bllokim të integrimit.

“Nuk do të thosha masa, por pasoja. Tani, ju them se pasojat, me të cilat ballafaqohet Kosova, është se nëse ata refuzojnë të angazhohen me Bashkimin Evropian, BE-ja nuk do të angazhohet për ndihmë shtesë dhe masa shtesë për integrim”.

Escobar theksoi se SHBA-ja pret që të dyja palët “të forcojnë përkushtimin e tyre dhe që Kosova të tregojë më shumë pragmatizëm dhe realizëm në qasjen e saj ndaj BE-së”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos