
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë po shkon drejt një bllokade me një të ardhme të paqartë.
Pas dështimit të ruandit të fundit në Bruksel, nuk ka ende asnjë propozim për mënyrën se si do të vazhdohet përpara. Analisti politik, Albinot Maloku, për KosovaPress, nënvizoi se modelet me sanksione nuk duhej të ishin pjesë e strategjisë së ndërmjetësuesve të Bashkimit Europian për të shtyrë palët drejt një marrëveshjeje normalizimi të marrëdhënieve.
“Kosova pjesën tjetër që e ka është edhe çështja e sanksioneve e cila e rëndon gjendjen e brendshme. Tani faktori ndërkombëtar do të provojë të gjejë rrugë të tjera, por modelet me sanksione sidomos për Kosovën nuk do të duheshin të ishin pjesë përbërëse e shtytjes së arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi, sa do të duhej të kishte një balancim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga ana e lehtësuesit.”
Lëvizja Vetëvendosje në pushtet mbron qëndrimin e kryeministrit Albin Kurti me kritika për ndërmjetësuesit dhe kërkon që dialogu të kthehet sërish në binarë, por me njohjen defakto në qendër dhe jo asociacionin.
“Kosova nuk e ka opsionin e zgjedhjes së ndërmjetësve, në fakt Bashkimi Evropian është mandatuar edhe nga Asambleja e Këshillit të Sigurimit dhe po ndërmjetëson. Por ajo çka ne duhet të potencojmë është se ndërmjetësuesi Lajçak mos e ka tejkaluar linjën e kuqe të devalvimit të plotë si palë, duke u bërë dhe kohë pas kohe duke marrë pozicione të Serbisë. Mendoj se ky dialog nuk i kontribuon tejkalimit të ngërçit dhe as arritjes së marrëveshjes dhe paqes në Ballkanin Perëndimor,” deklaroi Armend Muja, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në opozitë, i konsideron të gabuara kritikat publike të kryeministrit Kurti ndaj ndërmjetësuesve. Deputeti Pal Lekaj, tha se pas mbështetjes amerikane ndaj Lajçakut dhe Borrelit, do të vërehen pasojat për Kosovën. (A2 Televizion)