
Hodhën kapelet në ajër dhe përqafuan armët. 302 ushtarë të rinj bënë betimin për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, me kazermën Skënderbeu në Ferizaj, u kërkoi atyre që ta mbajnë me nder uniformën e ushtarit, pasi është një simbol i trashëgimisë së brezave që u sakrifikuan për lirinë e Kosovës.
“Ju përgëzoj për disiplinën dhe përkushtimin dhe në emër të institucioneve dhe qytetarëve të vendit tonë, ju kërkoj të mbani me nder dhe krenari uniformën e ushtrisë sonë, të prezantoni në mënyrën më të mirë Republikën e Kosovës, dhe të respektoni të kaluarën e lavdishme të vendit tonë, duke kontribuar në krijimin e një ambienti të sigurt për të ardhmen e atdheut tonë.”
Komandanti Jeton Dreshaj, u rikujtoi ushtarëve të rinj se janë pasardhës të luftëtarëve të UÇK-së.
“Sot ju bëheni pjesë e traditës ushtarake të vendosur ndër vite, themelet e së cilës vinë nga lufta e UÇK-së, nga komandanti ynë legjendar, Adem Jashari dhe nga sakrifica e dëshmorëve të kombit. Përgatitja dhe edukimi juaj ushtarak është një linjë vazhdimësie në zhvillimin dhe gatishmërinë e FSK-së. Detyra, nderi dhe atdheu janë themelet e forcës sonë, vlera këto të cilat duhet t’i mbani gjithmonë në zemrën dhe mendjen tuaj, si qytetarë të ndershëm dhe ushtarë të zotë. Kjo është një rrugë që kërkon guxim dhe përkushtim ndaj vendit, qytetarëve dhe kombit.”
Vlerësime dhe mirënjohje u ndanë për rekrutët dhe instruktorët më të dalluar. (A2 Televizion)