Zgjedhjet për kryetarin e bashkisë së Kukësit, policia merr në ruajtje 74 QV-të

Nga A2 CNN
23 Shtator 2023, 19:57 | Politikë
Zgjedhjet për kryetarin e bashkisë së Kukësit, policia merr

Drejtoria Vendore e policisë në Kukës ka njoftuar mbrëmjen e sotme se ka përfunduar me sukses marrjen në ruajtje të 74 qendrave të votimit, ku 46 mijë qytetarë me të drejtë vote do t’u drejtohen kutive këtë të diel për të zgjedhur kryetarin e ri të bashkisë.

Në kuadër të masave të marra nga Drejtoria Vendore e Policisë Kukës dhe Komisariati i Policisë Kukës, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, njoftojmë se përfundoi marrja në ruajtje nga punonjësit e Policisë, e 74 qendrave të votimit (QV) dhe e KZAZ-së.

Forcat e rendit do të jenë të angazhuara maksimalisht për të garantuar një proces zgjedhor sa më të qetë, teksa qytetarët do të votojnë për të nxjerr një fitues për vendin e lënë bosh nga Safet Gjici, nga gara mes dy rivalëve, Emri Vata nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” dhe Albert Halilaj nga Partia Socialiste.

Më herët gjatë ditës, zv/Drejtori për Sigurinë Publike i Policisë Kukës, Kujtim Gjoka, në një deklaratë për mediat sqaroi masat e marra për procesin zgjedhor.

Sipas tij 99 punonjës policie do të jenë në gatishmëri për ruajtjen e materialeve zgjedhore në 74 QV-të dhe vend numërimin e votave, ndërsa për garantimin e rendit dhe qetësisë publike dhe shërbimeve normale janë angazhuar edhe 78 punonjës të tjerë të uniformave blu.

Sakaq, vlen të theksohet se zgjedhjet e pjesshme të 24 Shatorit do të kushtojnë rreth 25 milionë lekë, me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që nuk ka kërkuar fond shtesë nga qeveria.

Pjesëmarrësve në votim do t’u dorëzohet vetëm një fletë votimi, ajo për kryetarin e bashkisë, pasi për këshillin bashkiak gjithçka mbetet sipas rezultatit të 14 Majit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos