
Kur kanë mbetur edhe 5 kuti për t’u numëruar në zgjedhjet për kryebashkiakun e Kukësit, kandidati socialist Albert Halilaj i PS-së po shkon drejt fitores. Gazetari i A2 CNN, Ervin Koçi, raportoi për “Dita jonë” se kandidati socialist kryeson me 7112 vota përballë kandidatit opozitar Emri Vata me 4278 vota.
“Fitore disi e konsoliduar e kandidatit socialist Albert Halilaj ka 7112 vota përballë kandidatit opozitar Emri Vata me 4278 vota. Gati 3 mijë vota diferencë”, tha Koçi.
Partia Demokratike zyrtare nuk paraqiti asnjë kandidat duke bërë unifikim të votave të opozitës.
Pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte me e ulët se më 14 maj, rreth 7% më pak dhe sipas përfaqësuesve politikë, fakti që kanë arritur 20 mijë votues është pjesëmarrje e kënaqshme dhe ka tejkaluar pritshmëritë e partive që mendonin se do të ishin 18 mijë votues, pasi nuk kishte votë për këshillin bashkiak.
Gazetari Koçi e cilësoi shembullor procesin e votimit dhe numërimit në Kukës, në ndryshim nga proceset e shkuara ku ka pasur tension mes militantëve. (A2 Televizion)