
Një diferencë prej 3000 votash, e bën kandidatin socialist, Albert Halilaj, fitues të zgjedhjeve për bashkinë e Kukësit, edhe pse kanë mbetur ende 5 kuti për të numëruar.
Kandidati socialist kryeson me 7112 vota përballë kandidatit opozitar Emri Vata, i cili ka arritur të marrë 4278 vota.
Kjo diferencë e thellë midis dy rivalëve në garë ka bërë që edhe kryeministri Edi Rama, ndryshe nga 14 maji, të reagojë më herët duke përshëndetur fitoren e Partisë Socialiste në Kukës.
Me një postim në rrjetin social Facebook, Rama shprehet se fitorja e Halilajt në Kukës është shembullore dhe shenjë e qartë e besimit që qytetarët kanë te qeveria e majtë.
“Kur janë numëruar pak më shumë se gjysma e kutive të votimit, kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Kukësit ka një avantazh të pakthyeshëm prej thuajse 3000 votash, i cili do të thellohet ende deri në kurorëzimin e një fitoreje shembullore, që flet qartë për besimin dhe për pritshmërinë e qytetarëve kuksianë ndaj nesh, si edhe për detyrimin tonë të madh ndaj tyre, për të bërë shumë më shumë akoma për Kukësin.” (A2 Televizion)