Dy 16-vjeçarë të armatosur arrestohen në Tiranë, grabisnin dyqanet me pajisje elektronike

Nga A2 CNN
25 Shtator 2023, 09:28 | Kronikë
Dy 16-vjeçarë të armatosur arrestohen në Tiranë,

Dy adoleshentë janë vënë në pranga nga policia në kryeqytet pasi është provuar se gjatë ditëve të fundit kanë vjedhur dy biznese që tregtojnë pajisje elektronike.

Të miturit janë ndaluar nga uniformat blu, pas një ndjekjeje që ka zgjatur për disa minuta në aksin rrugor Shkozë-TEG.

Në momentin e arrestimit, dy djemtë e moshës 16 vjeç kanë qenë duke qarkulluar të armatosur me pistoletë, armë të cilën tentuan ta hedhin nga dritarja e automjetit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, bazuar dhe në inteligjencën informative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Mesnata”.

Si rezultat i këtij operacioni u vunë në pranga dy shtetas 16 vjeç, si dhe u shpall në kërkim një bashkëmoshatar i tyre, të tre banues në Tiranë. 

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas, ditët e fundit, kanë vjedhur një laptop dhe katër celularë, në dy dyqane me pajisje elektronike.  

Pas informacineve se autorët e dyshuar po qarkullonin të armatosur, me një automjet, në aksin rrugor Shkozë-TEG, shërbimet e Policisë kanë organizuar punën për kapjen e tyre. Gjatë ndjekjes, drejtuesi i automjetit është larguar dhe ka hedhur një armë zjarri pistoletë, nga dritarja e automjetit. Në tentativë për t’u larguar, drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin dhe e ka përplasur automjetin me trafikndarësen. 

Në cilësinë e provës materiale, policia ka sekuestruar automjetin me të cilin lëviznin adoleshentët, pistoletën që ata posedonin, një laptop dhe 11 celularë.

Ndërkohë, vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që janë kryer nga ky grup grabitësish. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos