
Një 41-vjeçar është arrestuar nga policia e Pogradecit, pasi akuzohet se kishte planifikuar vrasjen e 3 personave me të cilët thuhet se kishte konflikt.
Ngjarja, të cilës i referohet policia ka ndodhur në vitin 2017. Burime zyrtare bënë me dije se pas hekurave përfundoi shtetasi Lorenc Kuqo, banues në fshatin Rëmenj.
“Siguroi kushtet dhe mjetet materiale, për të vrarë në një lokal, 3 shtetas me të cilët ishte konfliktuar për motive të dobëta, në vitin 2017, vihet në pranga 41-vjeçari. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec bënë ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë, për ndalimin e shtetasit në kërkim: Lorenc Kuqo, 41 vjeç, banues në fshatin Rëmenj, Pogradec.
Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Lartë e ka dënuar me 7 vjet e 3 muaj burgim, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur 3 vjet e 3 muaj.”
Si ndodhi ngjarja e rëndë?
Më datë 25.04.2017, 41-vjeçari, pas konflikteve për motive të dobëta me 3 shtetas, kishte planifikuar që ti vriste ata. Ndërhyrja në kohë e Policisë, parandaloi ngjarjen e rëndë, që ishte planifikuar të ndodhte në ambientet e një lokali.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 automatik kallashnikov, 1 automjet dhe 1 kapuç (maskë), që i posedonte shtetasi Lorenc Kuqo. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)