Punimet në stadium, Vllaznia kërkesë Tiranës për derbin e Shqipërisë

Nga A2 CNN
26 Shtator 2023, 14:39 | Futboll
Punimet në stadium, Vllaznia kërkesë Tiranës për derbin

Vllaznia do të mbyllë stadiumin, menjëherë pas sfidës së kësaj të mërkure me Egnatian. Numri i lart i ndeshjeve të luajtura në Shkodër, duke përfshirë edhe përfaqësueset e moshave, kanë ndikuar në degradimin e fushës në “Loro Boriçi”.

Për këtë arsye, klubi hartoi strategjinë e punimeve, që terreni i lojës të kthehet në gjendje optimale. Që kjo të ndodhë, impianti do të mbyllet dhe ndeshjet në vijim Vllaznia do të detyrohet t’i luajë në fushë neutrale.

Megjithatë, në kuqeblutë kanë një kërkesë. Sipas kalendarit të publikuar, më 2 tetor në “Loro Boriçi” ishte përcaktuar të luhej derbi i Shqipërisë përballë Tiranës. Për të mos humbur interesin dhe bukurinë e kësaj supersfide, shkodranët i kanë kërkuar bardhebluve miratimin për modifikimin e kalendarit.

Më specifikisht ata i kërkuan rivalëve historikë të shqyrtojë mundësinë që ndeshjen e fazës së parë të jenë ata pritës dhe sfida e fazës së dytë të luhet në Shkodër, kur punimet në stadium do të kenë përfunduar.

Propozimi është dorëzuar edhe në federatë, por fjalën e fundit do ta kenë bardheblutë. Nëse Tirana pranon përmbysjen e sfidave me Vllazninë, atëherë ndeshja e javës së tetë në Kategorinë Superiore do të luhet në kryeqytet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos