Ministeriali euro-ballkanik, Rama: Integrimi ekonomik, me faza. Plani i BE të japë fryte  

Nga A2 CNN
26 Shtator 2023, 12:44 | Politikë
Ministeriali euro-ballkanik, Rama: Integrimi ekonomik, me faza. Plani i BE

Shqipëria është optimiste për qasjen e re të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor. Në takimin e ministrave të Ekonomisë së rajonit dhe të disa vendeve të unionit, kryeministri Edi Rama i përcolli mesazhin vendeve anëtare të familjes europiane, duke u kujtuar që nisma e 2014 tashmë duhet kalojë në fazën e veprimeve konkrete, përtej uljes vetëm në tryezë. 

“Pema është pjekur mjaftueshëm për të na dhënë fryte. Ka ardhur tanimë koha të mendojmë jashtë kornizave. Ne shohim me mjaft interes se në Bashkimin Europian ka një bindje shumë të fortë dhe janë më syhapur karshi rëndësisë që Ballkani Perëndimor ka për Bashkimin Europian. Samiti do të duhet të diskutojë për diçka krejt të re, planin e ardhshëm të Bashkimit Europian për të mbështetur Ballkanin Perëndimor, duke u hapur në disa mënyra që do të na sjellin më pranë Bashkimit Europian”, tha Rama.

Ndërsa anëtarësimi me të drejta të plota është ende i paqartë, integrimi në tregun unik të BE duket se është plani më kontret i Brukselit për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor: “Integrimi me faza në tregun e përbashkët premton të na japë një ide të vyer, të paçmuar për rritjen ekonomike të rajonit të Ballkanit Perëndimor gjatë 5 viteve në vijim. Gjithçka bëjmë së bashku është të përfitojmë pikërisht në terren dhe për të pasur më shumë përfitime për njerëzit që kanë nevojë të lëvizin më lirisht, për kompanitë që duan të lëvizin më lirisht mallrat e tyre dhe gjithashtu që kapitalet dhe shërbimet të lëvizin sa më lirisht”. 

Për të garantuar paqen në Ballkan, Rama mendon se rajoni duhet të marrë shembull historinë e Gjermanisë dhe Francës. Këtë mesazh e mori vetë ministrja e Kosovës, pasi përfaqësuesi i qeverisë së Serbisë nuk ishte i pranishëm, pavarësisht ftesës nga Tirana.  Pas ministerialit ekonomik, në fillim të tetorit, në Tiranë do të vijnë edhe ministrat e Jashtëm për t’i paraprirë takimeve të krerëve të shtetit në Procesin e Berlinit, që do të organizohet në kryeqytetin shqiptar, më 16 tetor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos