
Përçarja e Partisë demokratike është arsyeja kryesore e rezultati të dobët të opozitës në Bashkinë e Kukësit. I këtij mendimi është politologu Afrim Krasniqi, i cili në një intervistë në A2 CNN shprehet se opozita nuk arriti të frymëzonte.
Ndërsa pedagogu Erlis Çela shprehet se alternativa e opozitës nuk mposhti dot as imoralitetin e skandalit të Safet Gjicit.
Rezultati i votimeve në Kukës konfirmoi dominancën e Partisë Socialiste në elektoratin shqiptar dhe krizën në të cilën është futur opozita. Për politologun Afrim Krasniqi vota e qytetarëve kuksianë është një leksion që duhet lexuar me kujdes nga opozita e cila sipas tij, nuk arrin të frymëzojë më qytetarët.
“Nëse ne lexojmë votat partiake, mësimin kryesor e mori Partia Demokratike, PD zyrtare dhe PD e rithemeluar. Mesazhi që morën nga qytetaret është që ata arrijnë të sigurojnë në çdo rast të vetëm votën e militantëve, dhe me votën e militantëve ata nuk do të arrijnë asnjëherë të shndërrohen maxhorancë në Shqipëri.”
Kjo dominancë e socialistëve ka ardhur duke u konsoliduar gjithnjë e më shumë vitet e fundit për të cilën pedagogu Erlis Çela shprehet se është ngulitur edhe në elektorat.
“Nga ana tjetër kemi një mendim të ngulitur tashme për fat të keq në një pjesë të elektoratit që partia në pushtet është gati e pathyeshme, me makinacione, me mënyra ligjore apo ekstra ligjore. Kam përshtypjen se edhe një pjesë e votuesve opozitarë ecin me psikologjinë që kemi përball një kundërshtar që është shumë i vështirë për t’u mundur.”
Zgjedhjet e Kukësit erdhën pas video skandalit seksual të Safet Gjicit në zyrën e kryetarit të Bashkisë, por ndryshe nga sa pritej, votat e PS-ë u shtuan edhe më tej.
“Nuk mendoj se e ka fajin kuksiani që nuk arrin dot të reflektojë pas një skandali të tillë të zotit Gjici dhe të votojë kandidatin kundërshtar. Unë mendoj se opozita nuk ka arritur do të bëjë sa të duhet, të bëj atë diferencën morale me pushtetin sepse kjo është pika kryesore ku ti bën ndryshimin.”
“Skandali i Dibrës përfundoi me votë për PS, skandali i Lushnjës me arrestimin e kryetarit përfundoi me votë për PS, i Kukësit po ashtu, i Vorës po ashtu. Do të thotë sa më shumë skandale, marrin më shumë vota sepse është mekanizmi i patronazhimit që vihet në funksion.”
“Njerëzit duhet të perceptojnë se ti je krejt ndryshe nga partia në pushtet. Nëse nuk bëhet kjo diferencë e dukshme morale njerëzit e kanë të vështirë të ndryshojë kah.”
Rezultati i Kukësit pritet të certifikohet nga KQZ ndërsa opozita garuese lajmëroi se nuk do ta njoh ketë proces për ta bërë pjesë të librit për masakrën zgjedhore. (A2 Televizion)