Bilanci i turizmit deri në shtator, frikë për efekt “bumerang”

Nga A2 CNN
3 Tetor 2023, 18:53 | Ekonomi
Bilanci i turizmit deri në shtator, frikë për efekt

Shqipërinë e vizituan 1,1 milionë turistë të huaj gjatë shtatorit. Kjo shifër është 30% më e lartë se ajo e shënuar në po të njëjtin muaj të një viti më parë.

Mirela Kumbaro, ministre e Turizmit dhe Mjedisit, u shpreh: “Ndërsa 9-mujori shënoi 8,3 milionë, ose 1,9 milionë vizitorë të huaj më shumë se 9-mujori i vitit të kaluar. Nuk i përmend për t’u krenuar, por për t’u ndërgjegjësuar se kur vendi përshkohet, jetohet, eksperimentohet, udhëtohet, nga gati 5-fishi i popullsisë së qëndrueshme, përgatitja, mobilizimi dhe vëmendja, madje dhe alerti, janë dhe duhet të jenë shumë më lart”.

Arsyet e kësaj ecurie, më të mirën e shënuar ndonjëherë, i dha ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku: “2024 do të jetë viti i certifikimit. Ky ishte viti i provës gjenerale. A vallë ia dalim, a jemi ne ata që ofrojmë shërbimin e duhur? A ka rrugë mjaftueshëm, a ka porte dhe aeroporte, energji elektrike për çdo hotel? Kjo ishte prova gjenerale që kaluam me sukses. 2024 do të jetë viti i certifikimit të Shqipërisë si një vend turistik”.

Në përpjekje për të bërë një bilanc të sezonit turistik veror, që ende vijon, në drejtim të sigurisë, ministri i Brendshëm, Taulant Balla, bëri publike edhe rastet konflikteve mes turistëve të huaj dhe shqiptarëve: “Të gjithë e kujtojmë rastin e turistëve spanjollë me Mihal Kokëdhimën. Kemi pasur 1134 raste të mosmarrëveshjeve të trajtuara nga punonjësit e policisë dhe 124 raste personat janë ndaluar”. 

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama, ndonëse pa e fshehur kënaqësinë nga shifrat rekord, kërkoi nga të gjithë që të mos përfshiheshin nga euforia: “Do përballemi me efekt “bumerang”. Promocioni ka bërë të vetën dhe ne do të kemi shumë më shumë turistë. Ne duhet të jemi të gatshëm që t’i presim ashtu siç duhet”.

Deri në fund të vitit, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit pret që numri i të huajve që vizitojnë Shqipërinë të ketë arritur në 10 milionë. Kryeministri Edi Rama kërkoi nga 61 kryetarët e bashkive më shumë punë për të përmirësuar infrastrukturën, veçanërisht në drejtim të turizmit.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos