Serbia arreston Radoiçiç, mori përsipër sulmin në Banjskë

Nga A2 CNN
3 Tetor 2023, 13:29 | Kosova
Serbia arreston Radoiçiç, mori përsipër sulmin në

Serbia ka arrestuar Milan Radojçiç, i cili disa ditë më parë pranoi përgjegjësinë për organizimin dhe drejtimin e sulmit të armatosur në Banjskë të Kosovës.

Këtë e konfirmoi Ministria e Brendshme e Beogradit, bashkë me njoftimin se atij i është caktuar masa e paraburgimit për 48 orë.

Autoritetet nënvizojnë se Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ka ngritur një kallëzim penal ndaj Radojçiç. Por nuk saktësohet se çfarë akuzash rëndojnë ndaj ish-nënkryetarit të Listës Serbe. Policia serbe ka bastisur banesën dhe objektet tjera të Radoiçiç në Serbi.

Më 30 shtator, Radojçiç iu përgjigj një ftese të autoriteteve serbe për të dhënë versionin e tij lidhur me atë që ndodhi në Banjskë të Kosovës, më 24 shtator.

Avokati i tij mbrojtës lexoi letrën ku merrte përgjegjësi të plotë, ndërsa në shumicën e fjalive përpiqej që të shfajësonte Serbinë, presidentin Vuçiç dhe Listën Serbe.

Mes rreshtave konfirmoi dhe akuzën e autoriteteve të Kosovës, teksa theksoi se synimi i sulmit të armatosur ishte nxitja e rebelimit të serbëve lokalë në veri të Kosovës për të vendosur një lloj autonomie me forcë. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos