Këtë të shtunë në “Diagnozë”, emisioni për shëndetin që transmetohet për herë të parë në A2 CNN, flasim për kancerin, metodat inovative të trajtimit të tij, simptomat e hershme dhe çdo detaj tjetër që mund t’i ndihmojë vajzat dhe gratë të diagnostikohen në kohë.
Në këtë puntatë të parë, në bisedë me Freskida Milotin, në kuadër edhe të tetorit rozë, ishte Artan Bodeci, doktor i shkencave mjekësore dhe kirurg onkolog pranë Spitalit Amavita.
Mjeku Bodeci shpjegon sesi kirurgjia ka evoluar duke u krijuar mundësinë pacienteve të diagnostikuara me këtë sëmundje që të mund ta trajtojnë atë, pa bërë kompromise shumë të dhimbshme me trupin e tyre.
“Nuk mund të bësh një kirurgji konservative pa evoluar edhe kimioterapia me skemat e saj të trajtimit, mbi skemat e saj që mbështeten ngushtësisht me përgjigjen apo responsen klinike të tumorit. Është pikërisht një evolucion në mbarë onkologjinë, e të gjitha disiplinave të veta, të cilat kanë bërë tani më që kjo sëmundje mos të kihet më frikë, që kjo sëmundje të dominohet, të cilat kanë bërë tani më që kjo sëmundje të kalojë si një gjurmë e vjetër tek trupi i gruas pa e deformuar atë, pa lënë shenja të parikuperueshme tek ajo.”
Por cilët janë disa nga faktorët e riskut që paralajmërojnë se një grua apo vajzë mund të jetë e predispozuar të diagnostikohet me kancer në gji?
Bodeci shpjegon:
Faktorët e riskut të kancerit të gjirit kanë të bëjnë me historitë menstruale. Historia menstruale ka të bëjë me momentin se kur ka ardhur për herë të parë cikli menstrual dhe kur ka ikur ai. Kjo quhet periudha menstruale që fillon në disa femra që në moshë të hershme dhe përfundon në një moshë të vonë, ndërkohë që ka femra të tjera të cilat kanë një menark tardive, të vonë, pra një ardhje të vonë të menstruacioneve dhe një ikje të hershme të tyre. Pra, sa më i shkurtër të jetë ky diapazon, sa më vonë të vijnë ato dhe sa me herët të ikin, kjo quhet si faktor risku pozitiv.
Historitë e lindjeve, mendohet që nulipariteti (nulliparity), që do të thotë moslindja e fëmijëve është një faktor risku i shprehur për të bërë një kancer gjiri, apo kur ti fëmijën e parë e bën mbas të 30-ave.
Në kuadër të kësaj, faktorët e tjerë të riskut që numërohen janë edhe historitë familjare. Ndërkohë përdorimi i alkoolit, i duhanit, kontraceptivët oralë, jeta sedentare, stresi, obeziteti, janë që të gjithë faktorë risku të mirëkonfirmuar që ndikojnë apo rrisin rrezikun për kancerin e gjirit.
Ai bën apel që gratë që mund të kenë dyshime se mund të ketë diçka që nuk shkon me trupin e tyre, nuk duhet të hezitojnë, dhe as nuk duhet të presin që vendi ku po hasin diçka të pazakontë të dhëmbë. Sa më shpejt të diagnostikohet tumori, aq më të larta janë gjasat që të kurohet pa pasoja.
“Presin që të dhembë. Por në të vërtetë ata e kanë diagnostikuar shumë herët, por kanë hezituar dhe kështu marrin veten më qafë. Ky është momenti i parë. Prekja e gjëndrave në sqetull e disa limfonodeve më të fortë, jo karakteristike për sqetullën dhe kjo është një shenjë e këtyre. Ato nuk dhembin. Ndërkohë pastaj vjen faza tjetër, që është faza e avancuar.”
Në rastet kur sëmundja diagnostikohet në stade të avancuara, simptomat sipas mjekut, janë rritja e volumit të tumorit.
“Faza e avancuar është atëherë pikërisht kur ajo kalon kohë, me muaj e me vite dhe tumori fillon e rrit volumin e vetë, fillon e zmadhohet, mbi 5 cm quhen forma të avancuara, fillon e infiltron lëkurën, fiksohet me paretin torakal, bëhet e palëvizshme. Jep nganjëherë… një formë tjetër e avancuar është kur zmadhohet gjiri, imiton klinikën e një mastiti apo infeksioni të gjirit, merr lëkurën e portokallit, pra si inflamatore.” (A2 Televizion)
