Për zv.kryetarin e Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, sistemi i reformuar i drejtësisë po funksionon, por Këshilli i Lartë Gjyqësor, si qeveri e këtij sistemi, ka një sërë pikash të dobëta.
“Ka ende gjyqtarë në sistem, të cilët nuk kanë asnjë vlerësim etiko-profesional, megjithëse kanë më shumë se një dekadë në detyrë. 40 magjistratët e diplomuar këtë vit janë ende të pa emëruar, ndërkohë që sistemi ka nevojë emergjente për ta. Kancelarët e gjykatave janë të pakonfirmuar, gjykatat kanë vështirësi në administrimin e buxhetit, trupa gjyqësore ndjen shqetësim për cenimin e standardeve të promovimit dhe ngritjes në detyrë mbi bazë merite, për shkak të mundësisë së një trajtimi të pabarabartë në pikëzim dhe në renditje”, u shpreh ai.
Para kandidatëve për 3 pozicione vakante në KLGJ dhe gjithë gjyqtarëve të tre shkallëve të gjyqësorit, Zv.kryetari Sadushi nënvizoi edhe nevojën e reagimit të KLGJ për sulmet ndaj gjyqtarëve.
“Kërkohet të reagohet në mënyrë koherente ndaj sulmeve të padrejta, të shumta e të vazhdueshme deri edhe në kërcënime që u bëhen gjyqtarëve për shkak të funksionit”.
Kryetarja e KLGJ tha se gjashtë anëtarët gjyqtarë të Këshillit kanë përgjegjësi më të madhe, se ata që nuk vijnë nga radhët e tyre.
“Për juve si gjyqtarë, të qenurit anëtar i Këshillit është një mision. Një mision për të përmirësuar së brendshmi bashkësinë tuaj, qeverisjen tuaj, imazhin tuaj, shtëpinë tuaj”, u shpreh Llagami.
Mes 5 kandidatëve, Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve votoi për të çuar në KLGJ gjyqtaren e Apelit të Përgjithshëm, Emona Muçi, si përfaqësuese nga Apelet dhe gjyqtarët Gentiana Muçaj dhe Markelian Koça nga gjykatat e shkallës së parë.
Anëtarët e rinj do të zëvendësojnë tre anëtarët gjyqtarë që iu përfundon mandati, Brikena Ukperaj, Marcela Shehu dhe Dritan Hallunaj. (A2 Televizion)