Kreu i SPAK, Altin Dumani, shfrytëzoi mbledhjen e Këshilit Kombëtar të Integrimit Evropianpër të bërë publike disa shqetësime që pengojnë punën e hetuesve të posaçëm.
Dumani edhe pse deklaroi se kuadri ligjor që përcakton punën e Prokurorisë së Posaçme është i mirë, sërish kërkoi disa modifikime që do të lehtësonin volumin e punës.
“Është vënë një kufi monetar prej 50 mijë Lekësh. Në mendimin tim ky kufi duhet të ndryshohet, pasi SPAK duhet të fokusohet vetëm në hetimin e korrupsionit të madh. Shuma prej 50 mijë Lekësh na ngarkon me hetimin e veprave penale, mendoj që prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm mund të ushtrojnë ndjekjen penale”.
Ngarkesa e prokurorëve është mbi normat, deklaroi kreu i SPAK, ndaj kërkoi ndërhyrje në ligj që hetuesit në Prokurorinë e Posaçme të kenë dhe ndihmës
“Patjetër ndihmësi nuk mund të ketë akses gjatë fazës së hetimit, pasi hetimi është sekret. Por pasja e ndihmësve ndihmon prokurorët në përfaqësim dinjitoz në shkallën e dytë”.
Përfaqësuesit e maxhoranës dhe opozitës iu përgjigjën pozitivisht kërkesave të Dumanit dhe u zotuan se do të punojnë që paketa ligjore të miratohet sa më shpejt. (A2 Televizion)